Trajtimet që duhen përdorur për të shmangur humbjen e shikimit tek pacientët me diabet

Një diabet i pamjekuar që në stadet më të hershme, çon në shfaqjen e ndërlikimeve të shumta, ku ndër më të shpeshtat dhe më problematiket, është edhe retinopatia diabetike, që ka të bëjë me dëmtimin e shikimit deri në humbje të plotë të tij.

Sipas bluzave të bardha, kjo sëmundje ka të bëjë me dëmtimin e enëve të gjakut të retinës, e cila gjatë viteve të fundit po klasifikohet si një ndër shkaqet më të shpeshta që po çon në verbimin e pacientëve diabetikë.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore rezulton se numri i pacientëve që po rrezikojnë humbjen e shikimit po shtohet gjithnjë e më tepër, referuar edhe kohëzgjatjes së sëmundjes së diabetit tek pacienti.

Rreth 60 për qind e pacientëve që janë më diabet prej të paktën 10-15 vitesh, me kalimin e kohës do të kenë një dëmtim të enëve të  gjakut dhe një përqindje e madhe e tyre, do të rrezikojnë deri në verbim. Ekzistojnë disa lloje formash të retinopatisë diabetike.

Stadet e hershme të zhvillimit të sëmundjes

Në stadet e hershme flitet për jo-proliferative, simptomat e të cilës zhvillohen ngadalë në heshtje për vite të tëra. Çka e vështirëson identifikimin e hershëm, në mënyrë që trajtimet që ndiqen më pas të reduktojnë rrezikun për humbje të shikimit.

Sipas bluzave të bardha, duke nisur që nga stadet më të hershme të kësaj sëmundjeje, një pjesë e konsiderueshme e pacientëve nuk kanë humbje të pamjes që në fillim, por veç një, turbullim gradual të shikimit, i cili shpesh herë kalon pa u vënë re. Kjo për shkak se pacientët nuk janë në gjendje të kuptojnë se një gjë e tillë vjen nga sëmundja e diabetit.

Ndërsa në tek disa pacientë të caktuar mund të ndodhë rrjedhje e enëve të gjakut që mund të jenë edhe përgjegjëse të pamjes qendrore, çka më pas çon në humbje të shikimit. Për të identifikuar dëmtimet e hershme të kësaj patologjie, është shumë e rëndësishme që të ndiqet një trajtim i veçantë fotografik i syrit nga një specialist i kësaj fushe.

Ky proces fotografimi njihet në gjuhën mjekësore si: “Angiografi e fundusit me fuoresceine”. Sa i takon realizimit të saj, procedura vijon me injektimin e një lëndë ngjyruese në venat e krahut, që më pas kalon në qarkullimin e brendshëm. Injektimi i kësaj lëndë bën të mundur që të kuptohet ku ka zona të rrjedhjes, apo qarkullim të dobët të gjakut, në enët që bëjnë furnizimin  e retinës.


Stadet e rënduara të sëmundjes

Ndërsa retinopatia proliferative është një tjetër formë  e sëmundjes. Në këtë rast kemi të bëjmë me një stad më të avancuar të dëmtimeve, e cila është edhe përgjegjëse për humbjen e shikimit tek pacienti diabetik. Në këtë rast bëhet e dukshme dalja, apo krijimi i enëve të gjakut në sipërfaqe të retinës dhe në nervin optik. Këto enë gjaku me kalimin e kohës kanë tendencën e zmadhimit të tyre deri në çarje, çka më pas çon edhe në mbushjen e syrit me gjak.

Kjo gjendje çon në rritjen e indit fibrotik, çka më pas shkakton edhe tërheqje të retinës, si dhe dëmtim të pamjes. Ndërsa enët e reja të gjakut mund të rriten në iris, duke shkaktuar më tej edhe glaukomën, e cila ka të bëjë me humbjen e shikimit deri në verbim.

Në çdo rast kjo formë e sëmundjes kërkon një kujdes të veçantë dhe sa më shpejt të kapen ndërlikimet dhe të trajtohen, aq më të reduktuara do të jenë edhe pasojat. Prandaj është e nevojshme që në asnjë rast të mos neglizhohet mjekimi i mirë i diabetit, si dhe të veprohet me kujdes për kontrollimin e shpeshtë të syve, me qëllim që të mund të shmangen dëmtimet.

Trajtimi që duhet të ndiqet

Kontrolli i sheqerit në gjak dhe tensionit arterial është një ndër këshillat thelbësore për të ndihmuar në trajtimin e këtyre ndërlikimeve. Mjekët vënë në dukje se trajtimi është i mundimshëm, pasi janë të shumta rastet në të cilat progresioni i sëmundjes mund të vazhdojë pavarësisht përpjekjeve mjekësore që mund të bëhen për ta parandaluar.

Çdo pacient diabetik duhet të dijë që nëse retinopatia diabetike kapet në stadet më të hershme dhe ndiqet me anë të trajtimeve të duhura, përfshirë këtu edhe trajtimet me lazer, mund të bëhet i mundur ndalimi i zhvillimit të mëtejshëm të sëmundjes.

Janë të shumta edhe rastet e trajtimeve të suksesshme me terapitë me lazer në stadet të avancuara të sëmundjes, pasi në këto situata reduktohen shanset për dëmtime të rënda të shikimit. Kështu, me ndihmën e trajtimeve me lazer bëhet e mundur mbyllja e enëve jonormale të gjakut, të cilat mund të shkaktojnë rrjedhje, çka më pas dëmton shikimin.

Nëpërmjet këtyre procedurave, rrezet e lazerit fokusohen në retinën e dëmtuar, të cilat mbyllin enët që rrjedhin duke formuar çikatrice të vogla (shenja) në retinë. Ndërsa indi fibrotik zvogëlon rritjen e enëve të reja në retinë, që mund të bëhen shkak për sëmundjen.

Në përgjithësi trajtimi me lazer, kryhet ambulatorisht, çka do të thotë se nuk kërkon ndonjë përgatitje të veçantë përpara, apo shtrime në spital. Megjithatë, thelbësore në trajtimin e retinopatisë diabetike, është marrja e ndihmës së duhur në kohë nga mjekët okulistë.

Kështu, të gjithë pacientët diabetikë,këshillohet që të kontrollojnë diabetin me dietë dhe mjekime për të vonuar, oseparandaluar zhvillimin e retinopatisë dhe ndërlikimeve të saj, të cilat çojnëderi në humbje të plotë të shikimit.

Print Friendly, PDF & Email