E premte, Tetor 18, 2019

Të sëmurët me diabet: Institucionet shëndetësore injorojnë zërin e 2500 pacientëve

aktivitet_diabet

Blertina Koka / Shendeti.com.al

Të sëmurët me diabet në Shqipëri kërkojnë rimbursimin e materialeve mjekësore, ndërsa autoritetet shëndetësore u kufizojnë edhe insulinat. Në peticionin e firmosur nga 2500 pacientë me diabet, shtrohen këto katër problematika kryesore për fëmijët dhe të rinjtë me diabet.

  1. Të bëhet rimbursimi i fishave për matjen e nivelit të sheqerit (glicemisë) dhe ageve të aparateve matës (lancetave) dhe ageve për injeksionin e insulinës, të cilat janë të domosdoshme përditë po aq sa edhe insulina që rimbursohet.
  2. Kryerjen e analizës të HbA1c në të gjithë Shqipërinë ose të paktën në spitalet rajonale.
  3. Rishikimin dhe shkurtimin e procedurave për marrjen e insulinës e ndryshimin e dozave të saj.
  4. Dalja në KEMP për personat me diabet të tipit 1 të kryhet së shumti një herë në tre vjet dhe jo çdo vit.

Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, me drejtues Asim Toro, e ka dërguar peticionin e firmosur nga 2500 pacientë diabetikë tek disa institucione shëndetësore, por nuk kanë gjetur ende asnjë zgjidhje. E vetmja përgjigje e marrë, është se janë ngritur grupe pune për trajtimin e këtyre problemeve, ndërkohë që, sipas Toros, vazhdon të ketë abuzime me insulinat, duke ndikuar drejtpërdrejt tek pacienti me diabet.

Drejtuesit e shoqatës kërkojnë të shtohet numri i penave të insulinës që lejohet të japë mjeku diabetolog i rrethit, pa qenë nevoja të vijnë në Tiranë. Në këtë mënyrë do të shmangen jo vetëm kostot financiare të pacientëve, por edhe shumë problematika të tjera që mund të lindin me ardhjen nga qytete të tjera në Tiranë për të marrë shtesën e insulinës, si stres, lodhje vapë, radhët e gjata tek QSUT për të marrë vetëm një firmë etj.

Sipas kryetarit të shoqatës “Fëmijët dhe të rinjtë me diabet”, z. Asim Toro, “për të marrë me rimbursim 3 penat e insulinës Lantus, pacientët me diabet duhet të vijnë nga vendi ku jetojnë, në Tiranë, për faktin sepse Vendimet e Këshillit Administrativ nuk e marrin parasysh pacientin si fokus parësor me diabet dhe që FSDKSH ka nxjerrë. Ky vendim nuk lejon që mjeku diabetolog i rrethit të japë më shumë nga 2 pena insuline Lantus”.

Toro thotë se në pamundësi për të ardhur vazhdimisht në Tiranë për të marrë një penë insulinë, shumë pacientë me diabet kanë shfaqur ndërlikime të gjendjes shëndetësore.

Çështja e sorollotjave është ngritur nga të gjitha shoqatat e pacientëve me sëmundje kronike. Ata shprehen se shteti duhet të mendojë zgjidhje të ndryshme për ta dhe jo t’i fusë në sistemin e referimit si gjithë të tjerët, duke qenë se sëmundja nga e cila ata vuajnë është e përhershme.  / http://shendeti.com.al/

Print Friendly, PDF & Email