E enjte, 21 Janar, 2021

“Të ecim së bashku me diabetin”, aktiviteti sensibilizues bashkon shoqërinë

ndergjegjesim per diabetin2

Elona Tereziu / Shëndet+

“Të ecim bashkë me diabetin”, kjo ishte motoja e fushatës sensibilizuese e cila bëri bashkë ditën e sotme qindra qytetarë nga shoqëria civile, përfaqësues të pushtetit vendor, trupa diplomatikë dhe pa diskutim bluzat e bardha në një ecje “maratonë” përgjatë shëtitores tek parku i liqenit.

Aktiviteti, i organizuar nga Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve diabetikë, i dedikohej 1500 fëmijëve dhe  të rinjve që vuajnë dhe diagnostikohen çdo ditë nga një sëmundje e tillë, me qëllim sensibilizimin, informimin  dhe edukimin jo vetëm të personave me diabet, por dhe të popullatës në përgjithësi lidhur me shenjat dhe problemet që diabeti sjell, ku e rëndësishme është kapja dhe diagnostikimi në kohë, pasi dihet diabeti nuk shërohet, por të mëson të jetosh më të.

E ndërkohë që në Shqipëri numërohen plot 1500 fëmijë dhe të rinj diabetikë, kostoja minimale e shpenzimeve për një diabetik arrin në 45.000 lekë të vjetra në muaj. Krahas çmimit për të jetuar, persona të tillë përballen edhe me sorollatje, ku vetëm për të bërë një analizë, një personi nga rrethet i duhet së paku të udhëtojë tre herë drejt Tiranës.

aktivitet_diabet

Asim Toro, kryetari i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë, në një prononcim për gazetën “Shëndet +”, ngriti pikërisht këto dy çështje, ku deklaroi: “Urojmë dhe shpresojmë që çështja e rimbursimit të fishave të bëhet sa më shpejt, se na është premtuar dhe na tregojnë se po punohet, por ne do e bëjmë të ditur vetëm kur të fillojë vërtet përfitimi i fishave falas”.

I pyetur lidhur me sorollatjet nëpër spitale që i bëhet kësaj kategorie, ai u shpreh: “Çështja e sorollatjeve të atyre që vijnë nga rrethet është për arsye se nuk ka ura bashkëpunimi. Shteti duhet të lehtësojë punë e endokrinologëve nëpër rrethe, sepse QSUT-ja nuk mund të përballojë të gjithë popullatën me diabet. Vetë mjekët deklarojnë se është 10% e popullatës me diabet, por po të vijnë 10% çdo muaj në Tiranë, QSUT-ja bllokohet për 3-4 ditë radhazi”.

Aurel Poda, nga ISKSH, përshëndeti aktivitetin, ku ndër të tjera deklaroi se ISKSH po bën një monitorim të situatës dhe se shumë shpejt pacientëve diabetikë do iu plotësohen të gjitha nevojat. “ Kemi bërë një lëvizje për të parë modele të rimbursimit të këtyre materialeve  shëndetësore. Mendoj se shumë shpejt do të arrijmë në realizimin e kësaj nevoje për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët diabetikë,  ndërkohë më lejoni t’ju them që nuk jeni vetëm, këtë rrugëtim të gjatë do e bëjmë të gjithë bashkë.”

Armir Kapedani, përfaqësues nga Avokati i Popullit, deklaroi se në bazë të konventës ndërkombëtare e përcaktuar dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është e drejta e gjithsecilit të ketë kujdes shëndetësor.

Ndërkohë që në emër të institucionit të Avokatit të Popullit, në bazë të peticionit që kjo organizatë i ka drejtuar qeverisë, zoti Kapedani premtoi mbështetjen në ndjekjen e të gjitha hapave të mundshme që kërkesat e këtij peticioni të realizohen si një e drejtë që i takon këtyre pacientëve. “Organizata juaj i ka drejtuar një peticion qeverisë shqiptare, të cilën kemi marrë dhe ne si institucion, dhe ju premtojmë se do të ndjekim të gjitha hapat e mundshme që kërkesat  e këtij peticioni të realizohen si një e drejtë që u takon këtyre njerëzve, këtyre fëmijëve, për të cilët unë ju garantoj në emër të z. Totozani se do të keni mbështetjen tonë të  pakursyer”.

ndergjegjesim per diabetin1

Petrit Hoxha, përfaqësues nga bluzat e bardha dhe mbështetës i kahershëm i kësaj kategorie, u premtoi të gjithë të pranishmëve  bashkudhëtar me këtë sëmundje se do të jetë gjithmonë në shërbimin e tyre.

“Unë siç kam qenë i palodhur do të vazhdoj të jem në shërbimin tuaj.  Me secilin prej jush jam njohur në rrethana të vështira, kur sëmundja kishte mbërritur, por pas përmirësimit të saj, për fat të keq nuk do të thotë se çdo gjë kaloi. Me këtë sëmundje fillon dhe një tjetër mënyrë jetese, e cila kërkon pa diskutim një mbështetje të madhe që këto të rinj dhe fëmijë të rriten dhe të plaken duke kaluar një jetë sa më cilësore. Ne sot këtu jemi jo për të gëzuar për ato që kemi arritur, por për ato që duhet të bëjmë. Të gjithë jemi të koshient që kërkohen mjete e masa të tjera për të  përmirësuar shëndetin, ndaj kërkojmë mbështetje nga shteti”.

ndergjegjesim per diabetin

Në një aktivitet të tillë nuk mund të mungonte dhe zëri i atyre që fati i ka dhënë një mënyrë jetese pa të drejtë zgjedhjeje.

Atika Kadi: Kam 10 vjet që jam diagnostifikuar me diabet. Aktualisht kemi shumë probleme me rimbursimin e materialeve shëndetësore, siç janë fishat, lancetat, edhe aget, nuk na  rimburson shteti dhe jemi të detyruar t’i blejmë vetë. Na u premtua që do të rimbursoheshin fishat me listën e re të rimbursimit të barnave, por përsëri nuk u bë gjë. Kjo është një kosto e papërballueshme për një të sëmurë me diabet, i cili duhet të bëjë të paktën 4 matje në ditë, ku secila kushton 400-600 lekë të vjetra.

Ermonela Pasho:  Kam 4 vite që jam me diabet. Unë i përball dyfish këto probleme, se në profesion jam farmaciste dhe e shikoj përditë. Problemi kryesor është që nuk kemi materialet mjekësore të rimbursueshme. Edhe ajo që gjoja është e rimbursuar, për personat të cilët janë të punësuar ose studentë e marrin insulinën me rimbursism të pjesshëm, ndërkohë që të gjitha të tjerat janë me pagesë. Nuk ka rimbursim as të lancetave, as të fishave, as të majave të insulinës, dhe kjo është në një kosto mujore e papërballueshme për diabetikun. Përveç të tjerave, janë dhe analizat që duhen bërë çdo tre muaj që shteti nuk ka reagent për emoglobinën e glukozuar, apo radhët e gjata se duhen bërë me planifikim.

Marsela Xhindi: Unë jam vetë me diabet dhe problem që hasim është fakti se nuk kemi mundësi ekonomike për të marrë të gjitha këto pajisjet, si fishat, aget e insulianve, aget e aparateve të glicemisë, të gjitha janë me pagesë. Tjetër gjë janë sorollatjet që i bëhen një diabetiku nëpër rrethe dhe QSUT. Është një rrugë e gjatë procedurash. Pacienti nga rrethet duhet të vijë të bëjë regjistrimin për planifikim, pas planifikimit duhet të vijë njëherë tjetër për të bërë aplikim ose për të marrë orientimin e mjekut. Kërkojmë rimbursimin e lancetave dhe të gjitha materialeve që i duhen një diabetiku, si dhe lehtësim me dokumentacionet që kryejmë.

aktivitet_diabet1

Print Friendly, PDF & Email