Para pak kohësh, morisë së OJQ-ve, organizatave e grupimeve të shumta, ju shtua edhe Shoqata “Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë”.

Është e kuptueshme që secili prej këtyre kërkon të tërheqë vëmendjen, të realizojë diçka e të ecë në një hap me shoqërinë në tërësi.

Në momentin politik të tanishëm me ndryshimet e qeverisë kuptohet që shpresat rriten zërat ngrihen, objektivat shtohen dhe secila prej këtyre shoqatave dhe organizatave kërkon të arrijë synimet e veta.

Prandaj mendojmë se është çasti që edhe në përfaqësimet e fëmijëve dhe të rinjve me diabet ta ngrejmë zërin më me forcë që të dëgjohemi dhe të përkrahemi.

Dhe ne nuk e bëjmë për kredibilitet, për të fituar apo për të zënë vendin e merituar si kategori sociale, por për të mbijetuar dhe për të ecur krahas shoqërisë, në luftë me sëmundjen që na “ha” pas krahëve në çdo hap të saj.

Sot në botë numërohen rreth 246 milion diabetikë. Në një vend të vogël si Shqipëria, raporti i diabetikëve me pjesën tjetër të shoqërisë është më i madh. Përveç kësaj edhe problemet për njohjen, parandalimin, kurimin dhe rehabilitimin e të prekurve janë akoma më të shumta.

Po kujtojmë rastet më të freskëta. Dy persona humbën jetë nga mjekime me glukozë sapo kishin mbritur në spital. Duhet t’ju kujtohet vajza 7-vjeçare nga Durrësi e cila ndërroi jetë në prag të Vitit të Ri, më 27 Dhjetor 2012. Historia u përsërit pas pak kohësh në Tiranë me një 35-vjeçar. Këto janë raste ekstreme, por  ka edhe plot histori të tjera të dhimbshme që kanë vazhdimisht si objekt të prekurit nga kjo sëmundje.

A duhet të mbahet përgjegjësi ligjore dhe morale për këto humbje jetësh apo vështirësi të shmangshme të kësaj pjese të shoqërisë që nuk ka asnjë faj se është prejkur nga një sëmundje?!

Në Shqipëri, diabetikët ashtu si shumë kategori të tjera janë lënë në mëshirë të fatit. Përveçse një asistencë prej 9400 lekësh dhe rimbursimit të insulinave, shteti nuk afron asgjë tjetër. Madje edhe për këto dy shërbime dalin jo pak probleme. Duke filluar me asistencën e cila në disa periudha jepet me 3-4 muaj vonesë, e duke vazhduar me numrin e insulinave  të vëna në dispozicion të të sëmurëve. Nëse ndodh që një personi diabetikë t’i nevojitet një insulin më tepër, sepse ato që ka marrë nuk i mjaftojnë, përballet me një stres të veçantë, me ecejaket në ambulancat e lagjeve, poliklinikave e më pas në spitalin e QSU-së. Për ata që janë nga rrethet aventura bëhet akoma më e vështirë duke qënë se duhet ti drejtohen Tiranës. Shpenzimeve të kurimit i shtohen edhe ato të udhëtimit dhe të qëndrimit minimalisht një natë sepse miratimi nga I.S.K.SH.-ja nuk mund të bëhet brenda ditës.

Por a janë vetëm këto dy shërbime për të cilat personat diabetikë kanë nevojë?

Fatkeqësisht jo!

Një problem shumë i madh dhe jetësor janë fishat e matjes së glicemisë (thënë ndryshe të sheqerit në gjak). Nevojiten 4 të tilla në 24 orë për matjen e sheqerit në gjak para vakteve e para fjetjes.

Edhe këto shteti nuk i rimburson, ndërkohë që shtetet e Evropës, madje edhe fqinjët (Maqedonia) j’ua rimbursojnë shtetasve të tyre diabetikë. Dhe jo vetëm që të sëmurët detyrohen ti blejnë vetë, por edhe çmimet janë të papërballueshme 5000 lekë (të reja) për 100 fisha.

E njëjta gjë mund të thuhet për aget me të cilat injektohet insulina. Duhen 4 age në ditë, pra rreth 120 në muaj. Mjaft diabetikë shqiptarë duke mos patur mundësi financiare detyrohen të përdorin të njëjtën age dy, tre, pese, dhjetë herë, madje dhe më tepër.

E kjo është për të ardhur keq. Sepse dihen pasojat që mund të vijnë nga mungesa e ageve një përdorimshe.

Për të sensibilizuar shtetin dhe shoqërinë mund të përmendim më tej problemin e analizave. Për të parë nëse diabeti është nën kontroll, nëse është bërë një punë e mirë me insulinën, ushqimin, aktivitetet sportive etj, është e nevojshme analiza e Hemoglobinës së glukozuar (HbAc1) të paktën një herë në 3 muaj. U premtua më 14 nëntor 2012, në Ditën Botërore të Diabetit, por shteti akoma nuk po e ofron këtë shërbim.

Ndërkohë që të sëmurët, për të mos u ndodhur në situata tragjike, detyrohen t’u drejtohen spitaleve dhe klinikave private ku çmimet vetëm për këtë analizë nisin nga 1200-2000 lekë. E njëjta gjë mund të thuhet për analizat e tjera të domosdoshme për kontrollin e veshkave, të zemrës, të syve, këmbëve dhe nervave të tyre. Të gjitha këto analiza janë të domosdoshme për diabetikët sepse nëse kjo sëmundje nuk mbahet nën kontroll rrezikon të dëmtojë të gjitha organet e tjera të trupit të njeriut.

Shtrojmë pyetjen: Të gjitha këto analiza e kontrolle a mund të përballohen me 9400 lekë asistencë në muaj? Dhe të mendojmë që të gjitha këto që përmendëm më lart janë thjeshtë kontrolle rutinë që një person diabetikë duhet ti bëjë në gjendje pak a shumë normale.

Po nëse diabeti del jashtë kontrollit? Po nëse një nga analizat nuk del mirë?

Atëherë duhen shtuar të tjera vizita e kontrolle te specialistët përkatës të zemrës, veshkave, syve, sistemit nervor etj. Dhe kjo nëse personi diabetikë është me fat që një shërbim i tillë i specializuar të ofrohej në spitalet tona, se do të ishte vërtetë problematikë, n.q.s shërbimi do të realizohej vetëm jashtë Shqipërisë.

Të dhënat botërore tregojnë se diabeti është një patologji shumë e kushtueshme si nga pikpamja shëndetsore, ashtu dhe sociale. Por shërbimi shëndetsor mund t’i pakësoj kostot e shkaktuara nga ndërlikimet nëpërmjet një trajtimi të kuptueshëm dhe efikas të sëmundjes.

Diabeti nuk është një sëmundje që i përket një shtrese të caktuar. Pas të prekurve nga kjo sëmundje gjenden familjet e tyre, e pas familjeve gjendet një shoqëri e tërë

Lufta kundër kësaj sëmundjeje “të ëmbël”, të qetë, që të “ha” fshehurazi nuk është vetëm çështje humanizmi e solidariteti, por edhe çështje ekonomike.

Qeveria e sapo formuar është angazhuar për një shëndetësi falas.

Ne nuk i vëmë aspak në dyshim qëllimet e mira dhe mundësitë e shtetit për të marrë përsipër detyrime të tilla. Ne ngremë zërin që qysh tani në fillim, që organizmat përkatëse, shtetërore e veçanërisht atë shëndetësore, të tregojnë kujdes në planifikimin dhe ndjekjen e këtyre problemeve që për ne janë jetike.

Anëtarët e shoqatës sonë shpresojnë të gjejnë përkrahjen e kujtdo brenda mundësive e kushteve të vendit. Por gjithashtu e kanë për detyrë të kujdesen më shumë veten për t’u mbrojtur nga ndërlikimet e mundshme, të bëjnë më të ndërgjegjshëm mjekët për të rritur kujdesin, t’i bëjnë thirrje organeve shtetërore për të shtuar fondet e interesimin ndaj këtyre personave. Pa ju drejtuar vetëm të tjerëve edhe shoqata ka synimet e saj për të propaganduar më mirë përvojat personale, të rejat e shkencës etj.

Si çdo kategori tjetër edhe personat diabetikë, kur ngrenë problem, nuk kanë për  qëllim  të ankohen, të përfitojnë sa të jetë e mundur më shumë, por që t’u plotësohen ato kushte dhe kërkesa të domosdoshme që edhe ato të zënë vendin që u takon në shoqëri dhe në jetë.

Shoqata e fëmijëve dhe te rinjve diabetikë ka për qëllim të mbrojë të drejtat e personave që kanë diabet, të kryejnë aktivitete në nivel kombëtar e rajonal për të sensibilizuar komunitetin në tërësi e pacientët në veçanti, të bashkëpunojnë me shoqata homologe brenda dhe jashtë vendit, të sigurojnë trajnime, të marrë pjesë në projekte që monitorojnë e shtojnë njohuritë për diabetikët etj.

Detyra kryesore e shoqatës është të ndërgjegjësojnë sa më shumë personat diabetikë, mjekët, zyrtarë dhe qytetarëve të thjeshtë kundër kësaj sëmundje që nuk “fle”, sëmundje që u hap rrugën sëmundjeve, sëmundje që u fsheh sëmundjet.

Prandaj shoqata bën thirrje të bashkohemi për të kuptuar, për ta minimizuar dhe për të dobësuar sa të jetë e mundur ndërlikimet e saj!

Asim  Toro

Print Friendly, PDF & Email