Sëmundja e Tiroideve dhe Diabeti. Çfarë duhet të dini?



Përmbledhje e funksionit të tiroides

Gjendra tiroide, e gjendur në pjesën e përparme të qafës, në dy anët e trakesë, te njeriu i rritur është e rëndë 20-30 gr. Është organ i furnizuar mirë me gjak. Edhe pse është e vogël, nëpër enët e saj të gjakut qarkullojnë rreth 5 litra gjak brenda një ore, që në fakt është sasia e gjakut në organizmin e njeriut. Kjo gjendër përmban një sasi të madhe jodi (10-15 mg jod), kështu që është organi më i pasur me jod në organizëm. Deponimi i jodit është veçori e veçantë e funksionit normal të saj. Gjendra tiroide sekreton tri hormone dhe ato janë: tiroksina, trijodtironina dhe tireokacitonina.

Hipotiroidizmi ështe një gjendje që karakterizohet me prodhim të ulët të hormoneve të gjëndrës tiroide. Ka mjaft sëmundje të cilat rezultojnë në hipotiroidizëm. Këto sëmundje munden në mënyrë direkte ose indirekte të prekin gjëndrën tiroide.

Hipertiroidizmi  është një gjendje kronike e karakterizuar nga një rritje patologjike e sintezës, sekretimit dhe e niveleve të tiroksinës (T4) e triodotironinës (T3) të lira në gjak. Këto dy hormone prodhohen nga tiroidja, një gjëndër endokrine, e vendosur në bazën e qafës, e cila drejton metabolizmin e trupit.

Mosfunksionimi i tiroides te njerëzit me diabet

Njerëzit me diabet janë në një rrezik më të lartë për çrregullime të tiroides sesa popullsia e përgjithshme.

Diabeti mellitus (DM) dhe sëmundja e tiroides janë të lidhura ngushtë. Një meta-analizë e fundit e të gjitha të dhënave në dispozicion në 10.920 pacientë me DM tregoi një frekuencë mesatare të sëmundjes tiroide prej 11%. Të dhënat në DM 1 të tipit nuk ndryshonin nga ato të DM 2 të tipit, por prevalenca në femra ishte vazhdimisht më shumë se dyfish se te meshkujt.

Pse njerëzit me diabet janë të predispozuar për zhvillimin e sëmundjes tiroide? Ka të ngjarë të ndryshojë nga individi tek individi, sepse sëmundja është më shpesh multifaktoriale, por studiuesit sugjerojnë se mund të ketë faktorë të zakonshëm gjenetikë midis diabetit dhe sëmundjeve tiroide, si dhe mekanizma të tjerë që lidhen me ndërprerjen e funksionit të hormoneve tiroide me metabolizmin e glukozës dhe lipideve.

Me rëndësi, sëmundja e tiroides mund të ndikojë drejtpërdrejt në menaxhimin e diabetit duke ndikuar tek faktorët si rezistenca e insulinës, prodhimi i glukozës hepatike, prodhimi i insulinës etj.

Përfundime

Tiroidi luan një rol të rëndësishëm në metabolizmin në të gjithë trupin dhe mosfunksionimi i tiroideve mund të ndikojë në një sërë procesesh metabolike, duke përfshirë rritjen, zhvillimin, prodhimin e insulinës, rezistencën e insulinës dhe prodhimin e glukozës. Kështu, kushtet e tiroides mund të ndikojnë drejtpërdrejt në menaxhimin e diabetit.

Shpesh, hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi rrjedhin nga proceset autoimune. Të dyja këto janë më të përhapura në individët me diabet. Rekomandohet që njerëzit me diabet t’i nënshtrohen kontrollit të rregullt të funksionit të tiroides për zbulimin dhe trajtimin e hershëm.

Print Friendly, PDF & Email