Rritja e numrit të të sëmurëve me diabet: Koha për t’u ndërgjegjësuar

Në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit “Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet” organizoi një aktivitet sensibilizues, i cili mblodhi bashkë vullnetarë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe Infermierisë, përfaqësues të shoqërisë civile, si edhe qytetarë të thjeshtë në sheshin “Nënë Tereza”, për të ndërgjegjësuar/sensibilizuar të gjithë njerëzit lidhur me rëndësinë e diabetit si një patologji problematike në mbarë botën.

diabetGjatë këtij aktiviteti u fol edhe për fushatën “No Hate Speech/ Jo gjuhës së urrejtjes” në kuadër të diskriminimit që i bëhet këtij komuniteti nga shoqëria e painformuar.

Asim Toro, kryetar i “Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet” duke iu drejtuar autoriteteve përkatëse, kërkoi mbështetje për rimbursim të fishave për matjen e nivelit të sheqerit (glicemisë) dhe ageve të aparateve matës (lancetave) dhe ageve për injeksionin e insulinës; kryerjen e analizës të HbA1c në të gjithë Shqipërinë ose të paktën në spitaletrajonale; rishikimin dhe shkurtimin e procedurave për marrjen e insulinës e ndryshimin e dozave të saj, si dhe mbi daljen në KEMP për personat me diabet të tipit 1, e cila duhet të ndodhë një herë në tre vjet, dhe jo çdo vit.

Andi Rabiaj, specialist i i Shëndetit Publik pranë “Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet” tha se në rang global ka një rritje të të sëmurëve me diabet. “Fakti që kemi një trend rritës përkatësisht nga 1 për 11 të rritur me diabet do të shkojë në 1 për 10 të rritur. Edhe vetë brenda kësaj sëmundjeje ka një tranzicion, pasi po kalojmë nga tipi 2 i diabetit që prek vetëm moshat e rritura, në një numër më të madh tip 1 diabeti që janë grupmoshat e reja dhe fëmijët të cilët varen më pas nga përdorimi i insulinës si trajtim terapeutik”.

Rezulton se në gjithë botën ka 400 milionë persona që jetojnë me diabet, por nuk ka një statistikë reale të fëmijëve me diabet, aq më pak për vendin tonë. Studimet tregojnë që në botë kemi rreth 600 mijë fëmijë të prekur nga diabetii pa përfshirë të rinjtë çka do të shtonte në masë numrin e të rinjve dhe fëmijëve që jetojnë me diabet.

Pedalimi sensibilizues për një jetë të shëndetshme, analizat e diabetit për të pranishmit, fotot e ndryshme nën sloganet ndërgjegjësuese të kësaj dite, ishin aktivitetet vijuese që treguan edhe njëherë se të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka të madhe.

Print Friendly, PDF & Email