Pas fishave të diabetit, nga qershori rimbursim edhe për protezat e gjymtyrëve

Beqaj: “Të pakësojmë invalidët në numër dhe të shkurtojmë periudhën e invaliditetit”

Shpresa Mezini

Pas përfshirjes së fishave të diabetikëve, që shërbejnë për matjen e nivelit të sheqerit në gjak, në listën e barnave me rimbursim, në mars të këtij viti, vjen një tjetër lajm i mirë nga shëndetësia. Për herë të parë do të rimbursohen edhe protezat e gjymtyrëve, që në pjesën më të madhe përdoren në rastet e aksidenteve. Kështu, më në fund pacientët në spitalin e traumës, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe në spitalin rajonal të Durrësit, të gjithë pacientët do të pajisen me proteza falas, të cilat tanimë do të rimbursohen nga buxheti i shtetit.

Aktualisht, institucionet spitalore nuk kanë proteza, ndërsa mësohet se Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një fondi prej 100 milionë lekësh do të nisë furnizimin e tyre nga muaji qershor e në vazhdim. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, mësohet se një spital i vetëm ka nevojë për mbi 60 proteza në vit, vendim ky që do të shpëtojë jetën e shumë njerëzve që në pamundësi ekonomike nuk kanë arritur t’i blejnë protezat apo të shumë të tjerëve, të cilët janë shtrënguar apo edhe kanë marrë para borxh për t’u pajisur me të. “Janë 100 milionë lekë të reja të vëna në dispozicion vetëm për të blerë proteza. Të pakësojmë invalidët në numër dhe të shkurtojmë periudhën e invaliditetit.

Mbërritja e urgjencës në kohë për ata që kanë pësuar trauma të ndryshme, është shpëtim për mijëra persona”, u shpreh Beqaj. Sipas tij, për të garantuar këtë, do të bëhet një shpërndarje e autoambulancave në terr me ekipe mjekësore. “Brenda qershorit, me atë flotë autoambulancash që kemi, ne do të kemi më shumë skuadra që mund t’u përgjigjen thirrjeve në territor duke u përpjekur ta dekoncentrojmë pozicionimin e ambulancave në territor nga ora 7.00 e mëngjesit deri në orën 23.00 të mbrëmjes”, tha ministri i Shëndetësisë. Ndër të tjera, siç edhe është premtuar më herët në spitalin e traumës do të ketë një investim prej 5 milionë eurosh për blerjen e pajisjeve mjekësore. Në konferencën e dytë të traumës u kërkua që në Universitetin e Mjekësisë të hapet Departamenti i Traumës në mënyrë që të ketë sa më shumë specialistë të kësaj fushe.

Fishat

Një muaj më parë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përveç barnave, njoftoi se do të niste edhe rimbursimin e materialeve mjekësore. “Grupi i punës është duke diskutuar se cilat do të jenë materialet dhe pajisjet mjekësore që do të mbulohen nga buxheti i FSDKSH-së, por mund të themi që po merret në konsideratë futja në listën e rimbursimit e fishave për matjen e glicemisë për personat që vuajnë nga diabeti, si dhe protezat”, u shprehën përfaqësuesit e MSH-së, në mars. Nga të dhënat e shoqatës së fëmijëve dhe të rinjve me diabet mësohet se fondi i detyrueshëm i kujdesit shëndetësor ka rimbursuar vetëm fishat, që shërbejnë për matjen e nivelit të sheqerit në gjak, por edhe kjo e realizuar në mënyrë të pjesshme. Kjo pasi është përcaktuar një numër fiks për fishat që do të përfitojnë diabetikët, pavarësisht se ndonjëri prej tyre përfiton më shumë apo më pak. Një tjetër pretendim që ngrihet po nga kjo shoqatë është edhe fakti se nuk janë vetëm fishat ato të cilat duhen rimbursuar, por edhe aget dhe lançetat, të tjera pajisje mjekësore, që gjithashtu kanë një kosto të lartë për xhepat e diabetikëve. Në po të njëjtën periudhë kohore u diskutua edhe për rimbursimin e protezave të gjymtyrëve, për të cilin Ministria e Shëndetësisë nuk kishte akoma një vendim. Një muaj më parë, po ashtu nuk ishte vendosur nëse rimbursimi i protezave do të bëhej vetëm për këmbët apo edhe për duart, që nuk është saktësuar akoma edhe sot, pas vendimit të shëndetësisë për t’i përfshirë në listën e pajisjeve mjekësore me rimbursim. Megjithatë, thuhet se synimi kryesor është te gjymtyrët e poshtme, pasi edhe kërkesat janë më të mëdha në numër.

Kosto

Duke iu referuar të dhënave nga shoqata e fëmijëve dhe të rinjve, bazuar në përllogaritjen e kostos që është i detyruar të paguajë kjo kategori çdo muaj, thotë se një person që vuan nga diabeti duhet të përdorë minimumi 3-fisha dhe maksimumi 7-fisha në ditë për të matur nivelin e sheqerit në gjak, ndërsa mesatarisht ai duhet të përdorë 4-fisha të tilla në ditë. “Kjo do të thotë se në një muaj nevojiten 120-fisha, që kushtojnë 50 lekë secila, duke arritur në përfundimin se çdo muaj një fëmijë diabetik detyrimisht duhet të harxhojë 6.000 lekë. Nëse kjo shumë përllogaritet në bazë vjetore, atëherë kjo kategori duhet të shpenzojë 73.000 lekë për këtë periudhë kohore. Por, fishat e glicemisë nuk janë të vetmet materiale mjekësore që i nevojiten një diabetiku, pasi paralelisht ai përdor aget dhe lançetat, për të cilat ende nuk është menduar mundësia e rimbursimit.

Print Friendly, PDF & Email