Diabeti mbetet një nga sëmundjet me risk më të lartë, pa përmendur atë pjesë të popullatës, e cila është diagnostikuar me këtë sëmundje dhe që kurohet rregullisht për të parandaluar pasojat që mund të shkaktojë. Diabeti, që ndryshe njihet si sëmundja e “ëmbël”, ka prekur edhe fëmijë e adoleshentë, në vend, numri i të cilëve arrin në 800, të cilët jo vetëm që nuk bëjnë një jetë normale, për shkak të ilaçeve dhe vizitave të herëpashershme, që duhet të kryejnë, por nuk u dalin as paratë, për të përfituar shërbimin e nevojshëm, siç i këshillojnë mjekët endokrinologë. Duke iu referuar një studimi të bërë nga Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë, shteti aktualisht i mbështet të rinjtë, me një pagesë KEMP-i, që arrin në 9400 lekë, në një kohë që shpenzimet mujore të tyre arrijnë në rreth 20 mijë lekë.

Studimi, parashikon në detaje, shpenzimet ditore, mujore dhe vjetore, që ka një person që vuan nga diabeti, në varësi të shkallës së tij, duke nisur nga lancetat, të cilat shërbejnë për matjen e nivelit të sheqerit në gjak, për të përfunduar me medikamentet, që përdoren për të kuruar ose mbajtur nën kontroll sëmundjen. Sipas tij, kostoja e një personi që vuan nga kjo sëmundje, është shumë e lartë, për këtë arsye, kryetari i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë, Asim Toro, u bën thirrje autoriteteve shëndetësore që të rimbursojnë materialet, medikamentet dhe analizat që duhet të ndjekë një diabetik, siç ndodh jo vetëm në vendet e Europës, por edhe në rajon, konkretisht në Itali dhe Maqedoni.

“Një person me diabet duhet të kryejë rreth 32 analiza dhe vizita në vit, nga të cilat disa janë çdo 3/6 muaj. Të gjitha këto konsumime ditore dhe kontrolle vjetore, gjithmonë sipas rekomandimeve të mjekëve arrijnë një kosto vjetore prej 388.620 lekë për person. Konsumi ditor i një personi që vuan me diabet ka një kosto prej 13.127 lekësh. Por, vështirësitë fillojnë me shtimin e numrit të insulinave sidomos për personat me diabet nga rrethet, sorollatje dhe pritjen në radhë, qëndrimin në Tiranë, dietat që do konsumojnë, si dhe humbjen e ditës së punës në qoftë se ata e kanë siguruar një të tillë. Të gjitha këto kosto dhe vështirësi nga pacienti me diabet, mund të shmangen duke e ndarë këtë abuzim nëpër qarqe ose me kontrollet e vazhdueshme që duhet t’ju bëhen mjekëve specialistë dhe farmacive. Ky kontroll do të sjellë të mira si për pacientin po ashtu edhe për shtetin duke shmangur abuzimet ndër vite me insulinat dhe përdorimin e këtyre fondeve për rimbursim të fishave dhe ageve”, konstaton Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë.

Në të theksohet se kostoja njëvjeçare e insulinave për një person është përkatësisht: 50 pena me veprim të shpejtë në vit shumëzim 1200 lekë (çmim mesatar) = 60.000 lekë; 30 pena me veprim të ngadaltë në vit shumëzim 1900 lekë (çmim mesatar) = 57.000 lekë; 60.000 lekë + 57.000 + 9.000 ndihma sociale = 126.000 lekë shpenzim për një person me diabet. Sipas studimit, lancetat, fishat e glicemisë, aget, hemoglobina e glukozuar, analizë që duhet të bëhet katër herë në vit dhe që në total kushton 6000 lekë, janë gjithashtu të domosdoshme, për t’u ndjekur dhe përdorur rregullisht nga një diabetik.

“Nëse këto analiza nuk ndiqen në mënyrë periodike personi me diabet do të përballet me një seri komplikacionesh, duke nisur nga ato kronike si hipertensioni arterial, sindromi metabolik hiperlipidemia, për të vazhduar me gjashtë dëmtime të: syve, zemrës, trurit, veshkës, nervave dhe ulçerës diabetike.

Print Friendly, PDF & Email