Ndërlikimet infeksioneve të diabetit

Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si infeksione të tjera qelbëzuese të lëkurës, infeksione urinare (me ose pa djegie gjatë urinimit), turbekuloz, infeksione në organet gjenitale, mukoza (që shfaqet me të kruara të “vetes”), infeksione të mishrave të dhëmbëve, të bajameve, sinuzite e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve etj.

 

Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi, transmeton Telegrafi.

 

Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tre masave paraprake:

 

Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, e këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korentet e erës etj.

 

Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin.

 

Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij.

 

Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore.

 

Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabetit, duhet të arrihet e të mbahet në mënyrë të qëndrueshme një ekuilibër i përsosur i tij.

 

Në qoftë se kjo nuk bëhet, infeksioni do të ngrejë kokë e do të ringjallet përsëri.

 

Si rregull, ata diabetikë që mjekohen me insulinë, në përshtatje me analizat duhet të rrisin dozën e saj, kurse ata që mjekohen me kokrra ose me dietë, gjatë infeksioneve, sidomos në ato që shoqërohen me temperaturë, sipas rastit përkohësisht mund te duhet të fillojnë mjekimin me insulinë.

 

Mos kini frikë se mësoheni me të. Pas kalimit të infeksionit dhe ekuilibrimit të diabetit, do të kalohet përsëri në mjekimin e mëparshëm.

Print Friendly, PDF & Email