Mbi problematikat e personave me diabet në Shqipëri. (pa përgjigje) Nr. _79_ Prot. 4006

Nr. _79_ Prot.  4006                                                                             Tiranë më: 03/12/2015

 

 

Drejtuar:          Znj. Milva EKONOMI

Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

 

Lënda:             Mbi problematikat e personave me diabet në Shqipëri.

 

E nderuara Znj. EKONOMI,

 

Fillimisht më lejoni t’ju përshëndes dhe të prezantohem. Unë jam Asim Toro, Kryetari i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet në Shqipëri. Po Ju drejtohem nëpërmjet kësaj letre për të sjellë në vëmendjen tuaj disa nga shqetësimet konstante dhe të përsëritura, që kanë të bëjnë me anëtarët e komunitetit që ne përfaqësojmë.

 

Ju falenderojmë që Institucioni Juaj është duke rimbursuar trajtimin me insulinë për personat me diabet. Por kjo gjë është e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat bazë të këtij grupi pacientësh kronikë. Një mjekim jo i plotë dhe jo i saktë do të sillte shfaqjen e dëmtimeve të tilla si: prerje të gjymtyrëve, komplikacione të veshkës, të zemrës, të syve deri në humbjen e shikueshmërisë të cilat më pas kanë një  kosto mjaft të mëdhe në trajtimin e tyre si për vetë pacientët ashtu edhe për sistemin shëndetësor në Shqipëri.

 

Në mënyrë të përmbledhur, ne si shoqatë pacientësh kërkojmë të realizohet:

1- Rimbursimi i fishave për matjen e nivelit të sheqerit (glicemisë) dhe ageve të aparateve matës (lancetave) e ageve për injeksionin e insulinës, të cilat janë të domosdoshme për ditë po aq sa edhe insulina që rimbursohet.

2- Kryerjen e analizës të HbA1c në të gjithë Shqipërinë ose të paktën në spitalet rajonale (kjo analizë është rimbursuar që në vitin 2012 por në pjesën më të madhe të spitaleve dhe poliklinikave mungojnë reagentët).

3- Rishikimin dhe shkurtimin e proçedurave për marrjen e insulinës dhe ndryshimin e dozave të saj.

4- Të rishikohet mundësia e rimbursit të pompave të insulinës , për fëmijët që kanë një diabet të çekulibruar dhe komplikacione të shkaktuar nga diabeti si dhe për nënat e reja diabetike për një mbarvajtje te shëndetshme të shtatzanisë, ashtu sikundër ndodh dhe në vendet tona fqinje (vetëm Shqipëria dhe Kosova nuk i kanë realizuar ende këto rimbursime)!

 

Shqetësimet e shprehura më lart janë problematika me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe shumica e tyre janë ndikuar kryesisht nga mungesa e mundësive ekonomike për ta ndjekur sëmundjen ashtu si duhet në mënyrë që komplikacionet e kësaj sëmundjeje të shfaqen sa më vonë. Por, këto shqetësime janë vetëm një pjesë e vogël e shumë shqetësimeve të tjera që ne kemi. Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet në Shqipëri kërkon që këto shqetësime të merren parasysh dhe të shihen me konsideratë të lartë!

 

Ne kërkojmë një takim sipas axhendës Tuaj, për t’u prezantuar dhe për të diskutuar më në detaje këto çështje apo dhe të tjera dhe në praninë e mjekëve specialistë të kësaj fushe. Bashkëlidhur me këtë shkresë gjeni një përshkrim më të detajuar të problematikës së përshkruar më sipër.

 

 

 

 

Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet

Kryetar

 

Asim    TORO

 

Drejtuar:          Znj. Milva  EKONOMI

Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

 

Lënda:            Problematikat e personave me diabet në Shqipëri.

 

  • Strishat dhe aparatet e glicemisë që nuk rimbursohen. Për të bërë dozën e duhur të Insulinës, është e domosdoshme që të kryhen 4 matje (minimalisht) deri në 7 matje të nivelit të sheqerit në gjak. Pamundësia e matjes së glicemisë sipas nevojës shkakton një mjekim jo të saktë, që do të thotë më shumë komplikacione dhe më shumë vuajtje. Në lidhje me këtë problem kemi biseduar edhe me paraardhësit tuaj, të cilët na kanë premtuar se do ta merrnin çështjen në konsideratë. Megjithatë duam ta sjellim edhe në vëmendjen tuaj, në mënyrë që ky problem të gjejë zgjidhjen e duhur dhe sa më shpejt.

 

  • Aget që përdoren për insulinat. Në parim, duhen përdorur aq age sa injeksione insulina merr në ditë personi me diabet. Por, të përdorësh 4 age në ditë është e kushtueshme, prandaj një pjesë e mirë e personave me diabet i përdorin aget për një kohë shumë më të gjatë derisa ato bëhen totalisht të papërdorshme duke rriturr dhimbjet që i shkaktohen pacientit nga injeksionet si dhe rritjen e rrezikut për infeksione të ndryshme të cilat shërohen me më shumë vështirësi te personat me diabet se sa te personat e shëndoshë.

 

  • Hemoglobina e Glukozuar (HbA1c) është analizë e cila është e domosdoshme për të vëzhguar ecurinë e shëndetit të çdo personi që vuan nga kjo sëmundje. Por, aktualisht kjo analizë mundësohet vetëm në Tiranë, në Poliklinikën Qëndrore dhe në QSUT. Siç jeni në dijeni, analiza HbA1c është një analizë që duhet të bëhet 4 herë në vit. Të sëmurët me diabet që jetojnë jashtë Tiranës për të bërë këtë analizë duhet të vijnë në Tiranë. Kjo do të thotë që ata duhet të përballen me: shpenzime rrugë, shpenzime hoteli, humbje e minimalisht një ditë pune në qoftë se personi ose familjari shoqërues e ka siguruar një të tillë. Rrjedhimisht personave me diabet u intereson më shumë, qoftë nga ana financiare ashtu dhe nga këndvështrimi kohor, ta bëjnë këtë analizë në klinika private në qytetet e tyre, sesa të vijnë në Tiranë. Për këtë arsye është e domosdoshme që kjo analizë të ofrohet në sa më shumë qendra shëndetësore në rrethe e të paktën në spitalet rajonale.

 

  • Një tjetër shqetësim yni është në lidhje kur kërkojmë ndryshim të sasisë së insulinës ose dhënia e një doze më të madhe se sa 5-pena insulinë, çdo person i komunitetit tonë përballet me një odise të vërtetë. Më poshtë po përmbledhim hapat që duhet të ndjek një person me diabet për këtë proçedurë:

1- Hapi i parë fillon nga mjeku i familjes ku personi me diabet merr  rekomandimin për tek endokrinologu i rrethit/lagjes.

2- Endokrinologu nuk mund të jap më shumë se 5-pena insuline në muaj dhe personat me diabet të rretheve po ashtu edhe ata të Tiranës duhet të paraqiten të gjithë në QSUT për të bërë shtesat e insulinës, pavarsisht faktit se në Shqipëri ka spitale rajonale.

3- Në Tiranë përballemi me disa proçedura të tejzgjatura që fillojnë me rregjistrimin e konsultës, e më pas duhet të shkojmë te konsulta me mjekun në QSUT, të cilët mund të bëjnë vetëm 12 konsulta në ditë. Rrjedhimisht ka një rradhë shumë të gjatë, dhe jo rrallë herë na duhet të rrimë më shumë se një ditëTiranë që të mund të bëjmë konsultën. Theksojmë që ka pasur edhe raste kur personat me diabet kanë pësuar rënie të sheqerit në gjak dhe humbje ndjenjash në këto rradha, për mos të folur këtu për vonesat dhe neglizhencat nga ana e stafit mjeksor të cilat i shtojnë orët e pritjes!

4- Përgjigja e konsultës jepet 24 orë më vonë – që do të thotë edhe një natë në Tiranë – dhe më pas duhet protokolluar në zyrën e Protokollit të QSUT.

5- Këto rekomandime çohen në DRSKSH e rrethit përkatës për tu protokolluar – ku në disa raste është refuzuar rekomandimi i mjekëve të QSUT-së, duke çuar dëm të gjithë mundin e deritanishëm nga personat me diabet, si psh. raste në Fier, Durrës e gjetkë.

6- Kur DRSKSH aprovon këtë rekomandim, personat me diabet duhet të shkojë sërish te mjeku specialist endokrinolog dhe më pas të mjeku i familjes për të mund të marrë sasinë e nevojshme të insulinës; kur DRSKSH e refuzon e gjithë odiseja fillon nga e para.

7- Gjashtë muaj pas këtyre peripecive, gjithçka duhet filluar nga fillimi edhe në rastet kur nuk ka nevojë për shtesë tjetër të sasisë së insulinave.

Dua të theksoj se personi që ndjek të gjitha këto proçedura është një i ri i sëmurë me diabet; apo mund të jetë një fëmijë që duhet të shoqërohet nga prindi – i cili nga ana tjetër duhet të lërë punën edhe disa ditë rresht;  të cilët udhëtojnë nga mbarë Shqipëria duke pritur në radhë dhe duke u sorrollatur nëpër të gjitha dyert dhe/ose zyrat e një pas njëshme që duhen vizituar.

Kufizimi që për më shumë se dy pena insulinë në muaj, konsulta të bëhet vetëm në QSUT është tejet i vështirë për të gjithë personat me diabet në rrethe të cilët në pamundësi financiare dhe për tu përballur me të gjitha proçedurat burokratike, kanë hequr dorë nga mjekimi.

 

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor duke mirëmenaxhuar këtë proçes mundet të ndryshojë situata në favor të personave me diabet duke shmangur burokracinë, presionin korruptues dhe kostot e tepërta.

 

 

E nderuara Znj. EKONOMI

 

Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet në Shqipëri kërkon që këto shqetësime të merren parasysh, të shihen me konsideratë të lartë dhe të merren masat e mëposhtme:

 

  • Të kryhet rimbursimi i fishave të glicemisë.
  • Të kryhet rimbursimi i ageve të injeksioneve për insulinat dhe lancetave.
  • Kryerja e analizës HbA1c të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe të sigurohen reagentët.
  • Rishikim dhe shkurtim i proçedurave për marrjen e insulinës.
Print Friendly, PDF & Email