Letra e një vajze me diabet për Babagjyshin e Vitit të Ri

babagjyshi

Një vajzë me diabet në Shqipëri ka gjetur një mënyrë të veçantë t’i drejtohet Babagjyshit për festën e fundvitit. E prekur prej 10 vjetësh nga sëmundja “e ëmbël”, 21-vjeçarja nuk i kërkon dhurata Babagjyshit, por i shpreh kërkesën për të mbajtur sëmundjen nën kontroll dhe për të matur gliceminë.

Ajo rrëfen se së bashku me prindërit e saj vuan nga diabeti dhe Babagjyshit nuk i kërkon para, por vetëm rimbursim të fishave për të mos kaluar vështirësitë e hasura deri tani.

Letra e 21-vjeçares

Hohoho… Përshëndetje Babagjysh! Si je? Unë jam “X”. Sa shpejt iku dhe ky vit. Dal nga shtëpia dhe ndiej te ftohtin, por se kam fjalën vetëm për të ftohtin atmosferik, por për ftohtësinë që më dhuron jeta. Dikur merrja çdo vit kukulla, i adhuroja por tani…tani mbylla një dekadë që nuk i adhuroj më, ose me saktë nuk kam kohë të mendoj për dëshirat e mia fëminore. Më kujtohet kur isha 11 vjeç dhe u ktheva ne shtëpi pasi kisha dalë të luaj. Po atë dite mami kishte shkuar për vizitë tek doktori, por unë harrova ta pyes dhe kur u kujtova ajo më tha se ishte mirë, vetëm se kish marre disa ilaçe. Nuk po e kuptoja. Por si te me tregonte ajo se pikërisht nëna ime kishte fatin e babait tim…Diabet. U trishtova, i urreva ëmbëlsirat, ushqimin, çdo gjë. Por a ishte një fëmijë në gjendje te urrente në këtë formë? Babi që në moshë 26-vjeçare i diagnostikuar me Diabet atëherë kur ishin rastet e rralla dhe tani mami…çfarë dhimbje. 2 persona në familje me Diabet. Nuk ishte e lehtë. Por le te kthehemi dhe njëherë tek unë. Babi dyshonte, e ndiente dhe me dërguan për vizitë tek mjeku. Por çfarë ishte kjo? Edhe unë? 3 persona në një familje? Por unë isha femijë, si mund te injektoja insulinë, si mund të shpoja gishtat disa herë në dite, si mund të merresha me diçka që e njihja, por e dija sa e vështirë ishte…unë duhet të merresha me kukullat e mia dhe jo me këto. 26 vite për babin dhe 10 vite për mua dhe mamin janë shumë të vështira Babagjysh. Unë s’te kam shkruar asnjëherë një letër, por sot që jam 21 vjeçe dua te të drejtohem. Sot kam nevojë për fisha, për të matur gliceminë. E di sa e vështirë është ta mbaj nivelin e sheqerit në gjak në vlera normale? Besoj se jo. Jemi tre veta dhe nuk mund të blejmë aq shumë fisha për të tre. Ne e matim vetëm kur nuk ndihemi mire. Ne duam vetëm fisha, shume fisha, por s’të kërkoj lekë për këtë, mjafton që zëri im të dëgjohet, zëri i të gjithëve ne që kemi Diabet, pasi si unë nuk imagjinohet sa shumë familje e kanë këtë vështirësi. Dua që të na rimbursohen fishat në menyrë që ne të tre mos të kemi vështirësitë që kemi pas deri tani. Dua vetëm shëndet të mirë dhe kur të kem këto ndoshta do të mundem të kthehem dhe njëherë pas në kohë. Një dekadë mbrapa.

Enisa T.

Anëtare në Shoqatën e pacientëve fëmijë dhe të rinj me diabet

Print Friendly, PDF & Email