Lancetat dhe testet e glicemisë për fëmijët me diabet

Komuniteti me diabet po has probleme të mëdha financiare, për shkak të mos rimbursimit të disa pajisjeve, apo mjeteve që u shërbejnë në jetën e tyre të përditshme. Pjesa e këtyre problemeve janë bërë lancetat, testet dhe aget.

Lanceta është material mjekësor, i prodhuar me material plastik që ndihmon në nxjerrjen e gjakut nga gishtat e dorës. Më pas vendosen te testet e glicemisë që është i vendosur në aparatin që tregon nivelin e gjendjes së sheqerit në gjak. Niveli i ndryshëm i sheqerit në gjak është ajo lëndë që qarkullon në: sy, zemër, tru, veshkë etj., nëpërmjet arterieve të ndryshme. Kostoja mujore për këtë material mjekësor është 1.200 lekë/muaj. Për ne që kemi një “barrë” të rëndë të quajtur diabet, niveli i sheqerit në gjak është armiku që na vdes qelizat çdo ditë që kalon.

Është një situatë alarmante dhe urgjente kultura e higjienës që duhet të tregojmë për përdorimin e këtyre materialeve mjekësore. Varfëria sjell informim të dobët të infermierëve për këshillim të personave me diabet, që të përdorin lancetat deri në tre muaj! Kjo është marrëzia e radhës për shoqërinë tonë. Në qoftë se nuk ka ndodhur mund të ndodhë që mikrobet që mund të kalojnë me anë të përdorimit të lancetave, të sjellin viruse dhe epidemi të cilat mund të jenë shumë herë më keq për të parandaluar shkaqet dhe pasojat dhe me vdekje. Përdorimi i shumtë i lancetave shkakton dhimbje në gishtërinj ku nis humbja e ndjeshmërisë në gishta. Dua t’ju kujtoj shprehjen “Më mirë të parandalojmë sesa të kurojmë”.

Testet e glicemisë janë një arritje për komunitetin me diabet. Quhet “arritje” për vetë faktin e fitimit të kohës dhe ndryshimit të teknikës së marrjes gjak në damar dhe pritjen e 30 minutave të marrjes së rezultatit të nivelit të sheqerit në gjak. Gjej rastin t’ju sjell në vëmendje foshnjat dhe fëmijët që i torturojmë para dhe dy orë pas çdo vakti! Testet e glicemisë janë fije specifike. Sot me një shpim të kryer nga lanceta për më pak nga 30 sek marrim rezultatin e sheqerit në gjak. Problemi i lidhur me këto teste është kostoja që tregtohen në treg. Një test blihet 50 lekë dhe një matje glicemie nëpër farmaci arrin 200 lekë. Për këtë material mjekësor personat e këtij komuniteti me diabet duhet të sigurojnë 6.100 lekë/muaj. Për kryerjen e katër matjeve mesatarisht. Nuk është për t’u habitur kur infermierët tregojnë gjendjen e spitaleve që mungojnë këto materiale mjekësore dhe i drejtojnë familjarët në farmacitë afër spitalit, të cilët shesin dhe aparatet që firmat farmaceutike i dhurojnë! Ky lajm i tregtimit të aparateve është kosto për firmat që i tregtojnë. Me anë të këtyre matjeve që duhet të kryhen tri herë minimalisht dhe shtatë herë maksimalisht duhet të regjistrohen në blloqet e shënimeve për t’u paraqitur në konsultën e mjekut endokrinolog.

Ky shkrim është për t’ju vënë në dije se Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka premtuar në gjendjen e saj të vështirë të lënë ndër vite të sistemeve të kaluara. Rimbursim të: ageve insulinike me gjatësi të ndryshme, lancetave dhe testeve të glicemisë për foshnje dhe fëmijë që do të rriten me këtë epidemi botërore. Rimbursim i analizës së hemoglobinës së glukozuar për të gjithë komunitetin me diabet. Po ju informojmë se materialet e lartpërmendura dhe analiza e Hb1Ac rimbursohen jo vetëm në vendet e Europës, por edhe në vendet e rajonit si Maqedoni. Po ju theksojmë shprehjen e popullit “Fëmija po nuk qau, e ëma nuk e ushqen” dhe shoqata e pacientëve e quajtur Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet ka filluar “të qajë” me qëllimin e mbrojtjes të së drejtave të fëmijëve dhe të rinjve me diabet.

Print Friendly, PDF & Email