Kur është i domosdoshëm mjekimi me insulinë? Efektet anësore?

Diabeti tip 1 mjekohet vetëm me insulinë!

Diabeti tip 2 , mjekohet me insulinë në rastet e shtatzënisë, ndërhyrjeve kirurgjikale, në AVC, në ushqimin parenteral, kur mjekimi vetëm me kokrra nuk arrin të japë rezultat në ekuilibrimin e sheqerit, në situata emergjente të veçanta etj. Vendi i aplikimit të insulinës mund të jetë në zonën e barkut, me distancë dy gisht nga kërthiza, në pjesën e brendshme të kofshëve, në të pasmet dhe në pjesën e krahut. Aplikimi mund të kryhet nga vetë personi ose në pamundësi mund të ndihmohet edhe nga një familjar.

 

Efektet anësore të insulinës

  • Mund të shkaktojë gjendje hipoglicemie (rënie të sheqerit në gjak) nëse doza e insulinës është më e lartë se ajo e llogaritur për vaktin dhe aktivitetin fizik të personit me diabet.
  • Rritje në peshë. Mund të ndodh në rastet kur doza e marrë nga personi është më e lartë se 30 UI.

 

Kombinimi i insulinës me antidiabetikët oral

Insulina mund të kombinohet me çdo mjekim me kokrra (tabletë) përveç se me mjekimet që ndikojnë në prodhimin e insulinës në pankreas.

 

A mund t’i ndryshojë dozat e insulinës një person me diabet në kushtet e shtëpisë?

 

Po, personi me diabet ka të drejtë të ndryshimit të dozave në rastet ku vë re që doza që i ka përcaktuar mjeku nuk jep rezultat në normalizimin e vlerave të sheqerit në gjak. Në këto kushte ndryshimi i dozave bëhet në varësi të sheqerit kur ai është në vlera jo normale, duke lejuar shtimin ose pakësimin e tyre nga 2 UI deri në 4 UI në vakt. E rëndësishme është gjithashtu që personi të mund të përshtasë dozat e insulinës me aktivitetin fizik që kryen p.sh.: nësë një ditë të caktuar ka vendosur të mund të kryejë më shumë aktivitet (si lëvizje, vrap, sport etj) duhet të ketë parasysh që të marrë një sasi ushqimi më të madhe ose të ulë dozat e insulinës për të shmangur hipogliceminë (rënien e sheqerit).

 

Print Friendly, PDF & Email