Rëndësia e komunikimit
Të komunikosh do të thotë të vendosësh lidhje me dikë tjetër. Në këtë kontekst, informacioni që i jepet një pacienti ose të afërmve të tij mbart në vetvete edhe reagime të ndryshme. Është kjo arsyeja që dhënia e informacionit, si një nga momentet më të rëndësishme të komunikimit, kërkon pjekuri, aftësi dhe ndjenja humane. Të informosh pacientin ose të afërmit e tij, nuk do të thotë të përgjithësosh përmbajtjen e informacionit, nuk duhet pra ta promovosh atë, por ta shikosh si element thelbësor në marredhënie. Autorë të ndryshëm shprehen se mbi 2/3 e të afërmve të pacientëve paraqesin simptoma të ankthit ose të depresionit. Një gjendje e tillë mund të çojë në degradimin e aftësive për të kuptuar informacionin.

Për të vendosur një komunikim të mirë është e nevojshme para së gjithash të vëzhgosh cilin person ke përpara, në të gjithë globalitetin e tij, duke patur parasysh rëndësinë që problemi i shëndetit përbën për personin. Përmirësimi i komunikimit me personin e sëmurë do të thotë të njohësh aspekte të ndryshme të personalitetit të tij ku operatori sanitar i përgjigjet me modalitete interaktive që konsiderojnë nevojat e ndryshme dhe përgjigjet emocionale verbale dhe joverbale. Është e rëndësishme të mësosh të komunikosh në mënyrë efikase duke e dëgjuar pacientin ndërsa na rrëfen çrregullimin, patologjinë dhe efektet që kjo ka në jetën e përditshme, në familje, në punë e në raporte sociale, sepse ajo çfarë na tregon pacienti nuk është vetëm sëmundja, por vetë jeta e tij.

Intervista e motivimit është një tip këshillimi që nis nga këshillimi i raporteve. Këshillimi i motivuar qëndron konform kritereve si: përballimi, ndryshimi, autonomia. Në fushën e shëndetësisë intervista motivuese është e dobishme për:\

  1. pacientin,
  2. operatorin sanitar,
  3. sistemin shëndetësor në përgjithësi.

Këshillimi motivues është një lloj këshillimi plus diçka tjetër si: (aleancë terapeutike mjek-pacient, amneza, stade të ndryshimit në të cilin gjendet pacienti, objektivat e tij, objektivat e operatorit sanitar, shkalla e motivimit, kontrata mbi objektivat).

Tre pikat kyçe të këshillimit motivues janë:
1. aleancë terapeutike
2. qëndrim empatik
3. negocim i objektivave të synuara.

Në asistimin e pacientëve me sëmundje kryesisht terminale por jo vetëm, komunikimi paraqet një moment strategjik kure, një element kualifikues të shërbimit të ofruar dhe një pritshmëri legjitime e pacientit dhe familjes. Komunikimi midis ekipit mjek-infermier dhe pacientit, është një faktor kryesor i një asistimi cilësor dhe lidhet direkt me rezultatet e mira klinike. Përballimi i patologjive nënkupton të bërit parandalim duke gjeneruar në popullat aftësinë për të konsideruar drejt sëmundjen dhe të kuruarit me terapitë e duhura të cilat nuk janë vetëm farmakologjike. Po aq të rëndësishme janë dhe marrëdhëniet, raportet e ndihmës me të sëmurin dhe familjarët e tij. Aftësia e raportimit dhe komunikimit në mënyre efikase përfaqëson një nga aftësitë më të mëdha të kërkuara sot operatorëve që punojnë në fushën e infeksioneve nga HIV/AIDS apo sëmundjeve onkologjike terminale dhe konsiston në aftësi komplekse që implikon njohuri profesionale dhe faktor personal.

Përbërësit Efikas të Ndërhyrjes
Përkufizohet si ndërhyrje e shkurtër një ndërhyrje që realizohet në 4 intervista me kohëzgjatje të ndryshueshme nga pak minuta në një orë. Objektivat e ndërhyrjes së shkurtër janë:
1. motivimi i pacientit për t’u nënshtruar trajtimeve sipas kohëzgjatjes
2. moderimi i konsumit
3. realizimi i ndërprerjes, shkëputjes “Përbërësit aktiv” të ndërhyrjes së shkurtër sipas autorëve janë:

  • Identifikon 10 rregulla të thjeshta për të përmirësur komunikimin me pacientët:
    1. Mos shprehni kurrë shumë koncepte njëkohësisht.
    2. Kur flisni drejtohuni gjithmonë direkt pacientit, duke shmangur së bëri gjeste që mund ta shpërqëndrojnë.
    3. Kur duhen trasmetuar informacione të rëndësishme, nëse pacienti e dëshiron, kërkoni të përfshini edhe familjarët e tij nëse janë të pranishëm.
    4. Përsërisni nëse nevojitet informacionin disa herë në mënyrë që të jetë i kuptueshëm, sidomos nëse personi që dëgjon ka një nivel të ulët formimi.
    5. Planifikoni diskutimin në mënyrë të tillë që pikat më kryesore të informacionit të jepen si në fillim dhe në fund të takimit.
    6. Për të qënë më të qartë, përdorni shembuj që kuptohen më lehtë për pacientin, ndoshta duke ju referuar ngjarjeve klinike të pacientit apo familjarëve të tij.
    7. Që pacienti të ndihet më rehat dhe ta ketë më të lehtë kuptimin e informacionit, përdorni terminologji të gjuhës së folur, popullore, ndonjëherë dhe dialekte.
    8. Kur jepen udhëzime mbi dozat dhe llojin e medikamenteve që pacienti duhet të përdorë, i ilustroni me shembuj praktik: (qartësoni mbi llojin e ilaçit kapsul, tableta, ngjyra, forma, si mund të ndahen; në përdorimin e shurupit përcaktohet doza e marrë me lugë gjelle apo lugë e vogël).
    9.Sigurohuni që pacienti ka kuptuar, duke e përfshirë në diskutim dhe i kërkoni të përsërisë dozimin e medikamenteve që duhet të marri.
    10. Shprehni gjithmon optimizëm, duke inkurajuar pacientin në vështirësi: teprim pesimizmi mund ta çojë në një pozicion skepticizmi, me rënie të mundshme të besimit dhe refuzim të kurës dhe terapis.

Strategji Komunikimi Efikase
1. Pyetje të hapura: Shembuj: a. “Më thoni diçka më shume rreth dhimbjeve tuaja” b. “Për çfarë informacionesh keni më tepër nevojë të dini?”; c. “Mund të më jepni një shembull?
2. Inkurajime minimale:“Humm”; “Ah-ah“; “Po”; “Dhe?pohoni me kokë apo anohuni drejt bashkëbiseduesit.
3. Parafrazim dhe përsëritje:“Ju po më thoni se u shqetësuat shume kur ju propozua përdorimi i morfines kundër dhimbjeve”; “Kam përshtypjen se ju jeni shqetësuar pasi ndiheni barr për familjaret tuaj…është kështu?
4. Sigurohuni që tjetri ka kuptuar saktë: “Çfarë do t’i tregoni familjarëve tuaj mbi sa thamë?”; “A mund të më përsërisni me fjalët tuaja ato çfarë ju thash pasi dua të jem i sigurt nëse jam shpjeguar qartë”.
5. Kundërshtoni me takt dhe indirekt: “Ju më thatë se keni një raport besimi reciprok me fëmijët tuaj, por nuk u keni komunikuar sëmundjen tuaj. Mendoni se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet tuaja?
6. Përmbledhja: “Më lejoni të përmbledh diskutimin tuaj dhe nëse e kam kuptuar mirë…..
Nevoja per trajnime specifike për një përgatitje të duhur psikologjike të operatorëve është gjerësisht e njohur. Mungesa e përgatitjes së nevojshme të tyre, mund të nxis reagime mbrojtëse të afta për të ndikuar negativisht marrëdhënien me pacientin dhe ambjentin e punës. Efektet që formimi sjell në qëndrimet në punë konsistojnë në perceptimin pozitiv të profesionit, në favorizimin e njohjes të aftësive të veta për të vendosur një gjendje kontrolli mbi disa faktore të stresit. Trajnimet duhen të përfshijnë zona të vështira në të cilat është e pranishme komponenti emocional: vuajtja, dhimbja, vdekja, zija në mënyrë që të theksojnë njohurit dhe aftësit për të menaxhuar komunikimin. Përmirësimi i këtyre aspekteve prodhon një rikthim pozitiv të menjëhershëm mbi raportin me pacientin dhe redukton rrezikun e frustrimit dhe burnout për operatorin e shëndetësisë. Mbështetja ndaj operatorëve të fushës së shëndetësis duhet të vendoset përtej dhe jo vetëm përmes trajnimeve teknike shkencore, por edhe përmes përgatitjes mbi përbërësit që përfshijnë marrëdhënien, komunikimin, dëgjimin dhe këshillimin.
Aspekt tjeter i rëndësishem ka të bëjë me trajnimin për zhvillimin e aftësive për të punuar në ekip, përmes eksperiencave përfshirëse në aktivitete në grupe, të finalizuara për përballjen e vështirësive të lidhura me situata konfliktuale individuale (shembull grupet e vetë-ndihmës) dhe të marrëdhënieve midis komponentëve të grupit dhe ekipeve të ndryshme që veprojnë brënda të njëjtës strukturë. Në planin e mbështetjes, duhet të parashikohet dhe mundësia që operatorët të përfitojnë nga drejtimi individual i personalizuar, i kryer nga një figurë profesionale me kompetenza specifike psh, një psikolog dhe/apo psikiatër.

Cili është faktori human dhe rëndësia e tij për sigurinë e pacientit?
Njohja dhe rregullimi i faktorëve human lidhen me shkencën e marrëdhënieve midis njerëzve, mjeteve të tyre dhe mjedisit në të cilin punojnë dhe jetojnë. Evidentimi i faktorëve human na ndihmon të kuptojmë se si njerëz të ndryshëm veprojnë në situata të ndryshme në mënyrë që të ndërtojnë sisteme dhe produkte që pasurojnë performancën e tyre. Në to përfshihen ndërveprimet humane si komunikimi, puna në ekip dhe kultura organizuese. Mjekët duhet të kuptojnë se si faktorët human mund të përdoren për uljen e ngjarjeve të papelqyeshme dhe gabimeve dhe të identifikojnë se ku thyhen sistemet. Me këtë kuptohet thjeshtëzimi i sistemeve, standardizimi i procedurave, ofrimi i mbështetjes kur ndodhin gabime njerëzore, përmirësimi i komunikimit, ridizenjimi i paisjeve dhe krijimi i një qëndrimi të ndërgjegjshëm kur ndodhin gabime.

Kuptimi i sistemeve dhe impakti i tyre mbi kujdesin për pacientin.
Duhet të kuptohet se koncepti i sistemit të kujdesit shëndetësor nuk përbëhet nga një por nga shumë sisteme organizues, në bazë repartesh, njësish, shërbimesh dhe praktikash. Numri i madh i marrërdhënieve midis pacientëve, ofruesve të kujdesit shëndetësor, stafit mbështetës, administratorëve, burokrateve, ekonomistëve dhe anëtarëve të komuniteteve si dhe marrëdhënieve midis shërbimeve të kujdesit shëndetësore dhe jo shëndetësore janë shumë komplekse. Mjekët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësise duhet të kuptojnë se shërbimi i tyre shumë i mirë në trajtimin e të sëmurëve po të jetë i vetëm nuk do të jetë i mjaftueshëm për ofrimin e kujdesit të sigurtë shëndetësor dhe me cilësi. Kjo për arsye se të sëmurët varen nga shumë njerëz që bëjnë mirë punën e tyre, me fjalë të tjera ata varen nga sistemi i kujdesit.

Print Friendly, PDF & Email