Kërkesë për rishikimin e medikamenteve që përdoren për personat që kanë diabet kryesisht HbA1c, Insulinat dhe fishat e matjeve të glicemisë. (pa përgjigje) Nr. :_4_ Prot.: _3363_

Nr. :___4__ Prot.: _3363_                                              Tiranë më: 16/12/2013

 

 

 

Drejtuar:          Z. Astrit BECI

Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor

 

Lënda:             Kërkesë për rishikimin e medikamenteve që përdoren për personat që kanë diabet kryesisht HbA1c, Insulinat dhe fishat e matjeve të glicemisë.

 

 

 

I nderuar Zoti BECI,

 

Fillimisht më lejoni t’Ju përshëndes dhe të prezantohem. Unë jam Asim Toro, Presidenti i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet në Shqipëri. Po Ju drejtohem nëpërmjet kësaj letre për të sjellë në vëmendjen Tuaj disa nga shqetësimet konstante e të përsëritura, që kanë të bëjnë me anëtarët e komunitetit që ne përfaqësojmë.

 

Në vlerësojmë shprehjen e angazhimit të Institucionit që Ju drejtoni për të rimbursuar analizën HbA1c; analizë e cila është e domosdoshme për të vëzhguar ecurinë e shëndetit të çdo personi që vuan nga kjo sëmundje. Por, kjo analizë mundësohet vetëm në Tiranë, në Poliklinikën Qendrore dhe në QSUT. Siç jeni në dijeni, analiza HbA1c është një analizë që duhet të bëhet 4 herë në vit. Pacientët që jetojnë jashtë Tiranës dhe duhet të bëjnë këtë analizë duhet të vijnë në Tiranë. Kjo do të thotë që ata duhet të përballen me: shpenzime rruge, shpenzime hotel, humbje e minimalisht një dite pune në qoftë se pacienti e ka siguruar një të tillë. Rrjedhimisht pacientëve u intereson më shumë, qoftë nga ana financiare ashtu dhe nga këndvështrimi kohor, ta bëjnë këtë analizë në klinika private në qytetet e tyre, sesa të vijnë në Tiranë.

 

Ju falenderojmë shumë që Institucioni Juaj është duke rimbursuar prej disa vitesh tashmë, disa nga preparatet që janë jetike për trajtimin e diabetit. Por, një nga problemet më kryesore për komunitetin tonë është vështirësia që hasin pacientët për të marrë preparatet e rimbursueshme duke respektuar të gjitha procedurat. Procedurat që duhet të ndiqen kur bëhet fjalë për të ndryshuar sasinë e Insulinave janë të tejzgjatura dhe me shumë ecejake.

Kur kërkojmë ndryshim ose më shumë se 2-pena insulinë, çdo person i komunitetit tonë përballet me një odise të vërtetë. Më poshtë do përpiqem t’i përmbledh hapat në mënyrë sa më koncize:

– Hapi i parë fillon nga mjeku i familjes ku pacienti merr  rekomandimin për tek endokrinologu i rrethit.

– Endokrinologu është i limituar në dhënien e Insulinave dhe na duhet të vijmë  në Tiranë për të bërë shtesat në insulinë për të marrë sasinë e nevojshme.

– Në Tiranë përballemi me një kaos total procedurash që fillon me rregjistrimin e konsultës, e më pas duhet të shkojmë të konsulta me mjekun në QSUT, të cilët mund të bëjnë vetëm 12 konsulta në ditë. Rrjedhimisht ka një rradhë shumë të gjatë, dhe jo rrallëherë na duhet të rrimë një ose dy ditë në Tiranë që të mund të bëjmë konsultën.

– Përgjigja e konsultës jepet 24 orë më vonë – që do të thotë edhe një natë në Tiranë – dhe më pas duhet protokolluar në zyrën e Protokollit të QSUT.

– Këto rekomandime çohen në DRSKSH e rrethit përkatës për tu protokolluar – ku në disa raste është refuzuar rekomandimi i mjekëve të QSUT’së, p.sh: raste në Fier, Durrës, e gjetkë.

– Kur DRSKSH aprovon këtë rekomandim, pacienti diabetik duhet të shkojë sërish të mjeku specialist endokrinolog dhe më pas të mjeku i familjes për të mund të marrë sasinë e nevojshme të insulinës; kur DRSKSH e refuzon e gjithë odiseja fillon nga e para.

– Gjashtë muaj pas këtyre peripecive, gjithçka duhet filluar nga fillimi edhe në rastet kur nuk ka nevojë për shtese tjetër të sasisë së insulinave.

Dua të theksoj se pacienti që ndjek të gjitha këto procedura është një i ri i sëmurë diabetik; apo mund të jetë një fëmijë që duhet të shoqërohet nga prindi – i cili nga ana tjetër duhet të lërë punën edhe disa ditë rresht;  të cilët udhëtojnë nga mbarë Shqipëria duke pritur në radhë dhe duke u sorrollatur nëpër të gjitha dyert dhe/ose zyrat e njëpasnjëshme që duhen vizituar.

Kufizimi që për më shumë se dy pena insulinë në muaj, konsulta të bëhet në QSUT ka qenë i vështirë për të gjithë pacientët e rretheve të cilët në pamundësi financiare dhe për tu përballur me të gjitha procedurat burokratike, kanë hequr dorë nga mjekimi.

 

Një tjetër shqetësim yni është në lidhje më strishat dhe aparatet e glicemisë që nuk rimbursohen. Për të bërë dozen e duhur te Insulines duhen të bëhen 4 matje (minimalisht) deri në 7 matje (maksimalisht) te nivelit të sheqerit në gjak. Pamundësia e matjes së glicemisë sipas nevojës shkakton nje mjekim te pamjaftueshem që do të thotë më shumë komplikacione dhe më shumë vuajtje.

 

Shqetësimi i fundit, por jo nga rëndësia, që duam të sjellim në vëmendjen tuaj është në lidhje me aget që përdoren për insulinat. Në parim, duhen përdorur aq age sa injeksione insulina merr në ditë pacienti. Por, të përdorësh 2 – 7 age në ditë është e kushtueshme, prandaj një pjesë e mirë e pacientëve i përdorin aget për një kohë shumë më të gjatë derisa ato bëhen totalisht të papërdorshme.

 

I nderuar Zoti BECI

 

Shqetësimet e artikuluara më lart janë shumë problematike me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe shumica e tyre janë ndikuar kryesisht nga mungesa e mundësive ekonomike. Por, keto shqetësime janë vetëm nje pjesë e vogël e shumë shqetësimeve të tjera që ne kemi.

Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet në Shqipëri sugjeron që këto shqetësimë të shihen më konsideratë të lartë dhe të merren masat e mëposhtme:

  • Rimbursimi i analizës HbA1c të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
  • Procedurat e marrjes së sasisë së insulinës të lehtësohen dhe të shkurtohen. Me fjalë të tjera do të donim që pacientët diabetikë të mund të marrin insulinat në qytetin ku jetojnë.
  • ISKSh të marrë përsipër rimbursimin e fishave të glicemisë.
  • ISKSh të marrë përsipër rimbursimin e ageve të injeksioneve për insulinat.

 

 

Unë jam i gatshëm për një takim sipas axhendës Tuaj, për t’u prezantuar dhe për të diskutuar më në detaje këto çështje apo dhe të tjera.

 

Me respekt

Asim Toro

 

Print Friendly, PDF & Email