Jeta e lidhur me diabetin

Adriana është 22 vjeç, e diagnostikuar prej 20 vitesh me diabet të tip 1.

screenshot-1_1478330172-7990591Në një rrëfim për Top Channel, ajo thotë se ishte 2 vjeç e gjysmë kur prindërit mësuan se e bija ishte me diabet, ndërsa Adrianës iu deshën vite për ta pranuar.

“Si një fëmijë nuk e kuptoja që nuk duhej të konsumoja ëmbëlsira. Shpesh e bëja këtë gjë edhe fshehurazi. Ishin rebelimet e moshës, kur shihja shoqet e mia dhe motrën time që konsumonin të tilla. Pjesa më e vështirë është ta pranosh që je me diabet”, shprehet Adriana Banaj, studente në Fakultetin e Mjekësisë.

Në perspektivë një mjeke e ardhshme, 22-vjeçarja thotë se zgjedhja për të orientuar të ardhmen e saj në profilin e Endokrinologjisë nuk ishte rastësore.

“E kam nisur Mjekësinë për t’u specializuar për Endokrinologji, për të gjetur një kurë më të mirë për diabetin”, tha më tej Adriana Banaj.
Por besimi dhe forca për të jetuar si të tjerët nuk mjaftojnë. Diabetikët në Shqipëri kanë kosto të lartë për të ruajtur parametrat e sheqerit në gjak.

“Bëj 4 insulina në ditë, nga 3 përpara çdo vakti ngrënieje dhe një përpara se të fle. Këtu te ne nuk rimbursohen aget e insulinave. Kostoja më e madhe është ajo e fishave të glicemisë, gjithashtu e parimbursueshme. Kemi kërkuar vit pas viti, por duket sikur lihet në harresë.

Një pako me 50 fisha mund të shkojë rreth 2.000 lekë. Sa për shpenzimet e mia, nuk mund të them shifër fikse, por shkojnë nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë”, u shpreh Adriana Banaj.

Në çantën e saj, veç sendeve që përdor çdo vajzë, gjen insulina, testin e glicemisë dhe fisha. Por kjo nuk e trishton aspak.

“Problemi kryesor është që të prekurit duhet ta pranojnë që janë me diabet. Por mund të jetohet shumë mirë edhe kur je me të”, rrëfen Adriana Banaj.

Print Friendly, PDF & Email