15326395_1166782530102293_3922550402038065006_nKam 19 vite që pres të ma plotësosh dëshirën, gjithmonë e njëjta, e përvitshme, por gjithmonë e parealizuar. E kështu ndiej sesi rritem çdo vit duke humbur besimin se ti ekziston vërtet dhe ashtu në heshtje bie edhe unë pre e mendimeve se është më mirë të largohem nga Shqipëria, për t’i ofruar vetes një jetë më të mirë.

Dhe me jetë më të mirë nënkuptoj mbi të gjitha shëndet më të mirë. Sa e pasjellshme nga ana ime, as nuk u prezantova, Babagjysh! Jam një prej atyre qindra personave me diabet mellitus tip 1, diagnostikuar që prej moshës trevjeçare. Të lutem Babagjysh, mos ndalo së lexuari këtë letër, edhe pse ajo vjen nga një e sëmurë me diabet që ka dëshira të ndryshme nga ajo e një vajze a djali tjetër, që ëndërron një makinë, një shtëpi, një kukull apo disa libra. E di që mendove se letrat e diabetikëve janë ezauruar në muajin nëntor, kur është edhe dita ndërkombëtare e diabetit, por unë zgjodha të të drejtohem sot dhe e di pse? Sepse sot u zgjova me glicemi 420mg/dl dhe kuptova që jam edhe sot me diabet, në fakt jam çdo sekondë, çdo minutë, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit me diabet. Vetëm 14 nëntori mua nuk më mjafton! Dhe po sot, vetëm në familjen time u shtuan edhe katër diabetikë të tjerë. Mami në këndin e kuzhinës që mundohet të pakësojë karbohidratet, motra që prej kohësh ka hequr dorë nga ushqimet e preferuara, gjyshi, që i flakërojnë sytë nga përpjekja për të mos nxjerrë lot kur unë bëj injeksionet, babi, që do të dëshironte të punonte më shumë se 8 orë, sepse paratë që merr janë të pakta dhe nuk dalin për të kuruar sëmundjen e diabetit. A e ke idenë si jam ndier sot? Në fillim s’e mohoj ndjeva frikë, me këto shifra që kam pasur kohët e fundit, kështu që s’do të habitesha nëse do të vëreja pasoja. Nis të bëj kontrollet mbyllur në dhomën time dhe kuptoj që s’më mbetet asgjë veçse të shënoj rezultatin e ndeshjes sime të përjetshme, mes vetes dhe diabetit. E nis duke parë këmbët, sepse ajo gangrena diabetike më tmerron! Duke mashtruar veten mendoj duke nënqeshur që edhe sot ia hodha, por e di fare mirë se ai është duke fituar territor në çdo organ timin, ashtu tinëzisht, dhe e nesërmja nuk është e sigurt. Pastaj mendova sa e sa fëmijë nuk e dinë që vuajnë nga diabeti vetëm e vetëm sepse nuk kanë mundësi për të bërë testin e glicemisë. Në pamundësi ekonomike, ata nuk blejnë dot fishat, që do i përballte me këtë lajm. Me se ta matin ata? Si ta mbrojnë veten? Prindërit e tyre ku t’i gjejnë të ardhurat? Çfarë i pret këta fëmijë që kanë diabet të veçantë, i cili natyrshëm kërkon kurim.

Prandaj po të drejtohem ty Babagjysh, sepse e di që ti ke pushtetin të na ndihmosh që të mos bëhemi barrë për familjen, shoqërinë. Edhe unë pres që ta tregosh këtë pushtet ashtu siç e kanë treguar babagjyshat e vendeve fqinje, por të lutem nëse e bën veç me fjalë, më mirë hesht edhe ti! Mos na ushqe me shpresa të rreme! Boll jemi lodhur nga premtimet e pambajtura! Jam e vetëdijshme që diabeti nuk është sëmundja më e tmerrshme në botë, që injeksionet, dieta, aktiviteti fizik bëhen mënyrë jetese, por ai kërkon kontrolle të vazhdueshme. Besomë, nuk do të kishte dhuratë më të çmuar për këto qindra familje sesa thjesht dhe vetëm rimbursimi i fishave. Është në rrezik shëndeti ynë, jeta jonë! Nuk po kërkojmë të pamundurën, kërkojmë që fishat të rimbursohen nga buxheti i shtetit.

Duke pritur me padurim …

 

Adrianan Banaj

 

Print Friendly, PDF & Email