Gezuar ditelindjen Mr.D. (Mr. D – Zoti Diabet)

Ndoshta nuk të kujtohet, por sot bëjmë 17 vjet që njihemi. Nuk e di tamam se përse, por e ndjej pothuajse të nevojshme të ta shkruaj këtë letër. Ndoshta sepse gjithmon jam ndalur tek e keqja që më ke bërë, duke harruar gjërat e mira që ke sjell në jetën time. Dhe kjo më kujton një shprehje të Paulo Coelho-s: “Kur dera e lumturisë mbyllet, një tjetër hapet, por përqëndrohemi aq shumë dhe aq gjatë tek ajo e mbyllura, saqë nuk shohim atë që është hapur për ne”. Nuk më kujtohet momenti kur hyre në jetën time, por hyre me një shpejtësi marramendëse që të fuste frikën. Nuk ishte dashuri me shikim të parë. Por tani që e mendoj, as urrejtje me shikim të parë nuk ishte. Sinqerisht nuk di çfarë emri ti vendos. Por në njëfarë mënyre u ndjeva edhe mirë. Sepse përfundoi periudha e makthit me gjithë kontrollet dhe përgjigjet negative. Sado që dhe kjo nuk është e vërtet. Sepse ti kishe filluar të jetoje brenda meje. Kështu që 18 shkurti i 1998-ës ishte dhe një ditë çlirimi për mua. Në gjithë këto vite kjo datë ka qënë për mua sikur kujtoja një varrim, sepse për shumë kohë më është dukur sikur atë ditë kisha vdekur. Pavarsisht të gjithave, deri në njëfarë pike është e vërtet. Domethënë është e vërtet që atë ditë vdiq një vajzë e vogël dhe ëndërrat e saja. Por nuk kisha kuptuar një gjë. Nuk kisha kuptuar që atë ditë kishte lindur një vajzë tjetër, një Klau e re. Kështu që nga sot e në vazhdim 18 shkurtin dua ta mendoj si një ditë rilindjeje, ditën e mundësive të reja.

Pastaj mendoj për gjërat që kam bërë deri tani, gjëra që ndoshta nuk do ti kisha bërë nëse ti nuk do të ishe. Ndonjëherë e mendoj me vete dhe më lind dyshimi: “Nëse deri tani kam studiuar kam shumë, e kam bërë sepse kam dashur apo sepse ishe ti dhe doja t’ju tregoja njerëzve që pavarsisht të gjithave unë mund t’ja dilja mbanë?”.

Të them të drejtën nuk di çfarë përgjigje ti jap kësaj pyetje. Por mund të të them që edhe ti ke pasur rolin tënd në gjithë këtë histori. Sepse e di shumë mirë që për faktin se ishe ti unë përpiqeshe të isha gjithmon më e zonja. Dhe mund ta them se ja kam dal mbanë. Përfundova shkollën e mesme me notat më të larta, mora diplomën për gjuhën italiane dhe ika në Itali atëherë kur askush nuk besonte se mund t’ja dilja mbanë, kalova provimin e pranimit në Fakultetin e Farmacise dhe sot jam në vit të tretë. Dhe ta mendosh mirë nuk është pak. Dhe jo të gjithë ja dalin. Por unë ja arrita.

Pastaj më ke mësuar të them “Mjaft”. Sepse ndonjëherë mjafton ta kalosh pak kufirin për të dëmtuar veten. Për një kohë shumë të gjatë fal teje jam ndjerë ndryshe nga të tjerët. Por sot e di që fakti që jemi ndryshe na bënë të veçantë. Më ke mësuar që të kesh diçka është e vështirë, por fakti që e ke të bënë të kuptosh që ja vlejti të luftoje aq shumë. Në këtë rast e kam fjalën për mikroinfuzorin. Më kujtohet që dëgjoja të flitej për të rreth 5-6 vjet më parë. Isha në dhomën time, ishte pak a shumë mesnatë dhe nuk kisha dëshirë të flija. Nuk e di sesi por një forcë e mbinatyrshme më shtynte drejtë televizorit. Në atë moment Rai 3 po transmetonte një emision për mikroinfuzorin. Thuhej se ishte një model i ri dhe se po bënin prova me disa fëmijë në Siçili për të parë nëse bënte vërtet efekt. Duke parë ata fëmijë që jetonin aq të qetë më shtonte dëshirën për ta pasur dhe unë. Por në ato momente e dija që nuk ishte e mundur. Atë natë nuk vura gjumë në sy. Vetëm imagjinoja si do të ishte jeta ime në qoftë se do e kisha. Më pas, duke ikur në Itali dëshira për ta pasur shtohet akoma edhe më tepër. Dhe filloj ta kërkoj me ngulm, por gjithmon më thoshnin jo, që nuk ishte i përshtatshëm për mua. Sidoqoftë kësaj radhe nuk do të dorëzohesha kaq kollaj. Dhe, si përfundim, fitova unë. Sot kam 4 muaj me mikroinfuzor. Dhe mund të them se jeta ime ka ndryshuar për mirë. Ndoshta gjërat kanë shkuar në këtë mënyrë sepse e kam dashur që në momentin e parë. Nuk e di. Por mund të them që është një nga gjërat që nuk do pendohem kurrë që e kam bërë. Dhe e di kush është gjëja më e bukur? Ndjesia që të lë fakti që një ëndërr bëhet realitet.

E di Mr. D? Gjatë gjithë këtyre viteve, për fajin tënd jam ndjerë keq për shumë gjëra. Por më tepër të kam urryer sepse kishe prekur një nga personat më të rëndësishëm të jetës time. Këtë gjë nuk arrija ta pranoja dot. Vetëm tani arrij të shikoj anën pozitive të gjithë kësaj situate. Nëse ti nuk do të kishe qënë, ajo dhe unë nuk do kishim këtë mardhënie që kemi sot. Pastaj, kush mund të jetë kaq me fat sa të ketë një person që mund ta kuptoj vërtet? Sepse edhe pse shumë persona thonë se të kuptojnë nuk është e vërtet nëse nuk e kanë provuar në kurrizin e tyre. Ndërsa ajo e di shumë mirë si mund të ndihem, ajo më kupton vërtet. Nëse vite më parë dikush do më kishte thënë që do vinte dita që do ti mendoja këto gjëra, do i kisha thënë se po tallej. Ndoshta sepse jam rritur duke parë vetëm anën negative të gjërave. Dhe nëse sot i mendoj gjërat në këtë mënyrë, për fat të mirë apo të keq, nuk duhet ti them faleminderit askujt. Sepse si gjithmon ja dola me forcat e mia.

Pastaj më ke mësuar të dua vetveten dhe ta pranoj për atë që jam, sepse nëse nuk e bëj unë nuk ka për ta bërë askush për mua. Çfarë tjetër mund të të them? Nëse sot jam  kjo që jam, është edhe fal teje. Faleminderit, bashkëudhëtari i jetës time!

 

Klaudeta  Kostaj                              

Antare  e  Shoqatës  së  Fëmijëve  dhe  të  Rinjve  me  Diabet

Print Friendly, PDF & Email