FSDKSH: Rimbursim edhe për pajisje mjekësore

Përveç rimbursimit të barnave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të mund të rimbursohen edhe disa pajisje mjekësore përgjatë vitit 2015.
Propozime të vazhdueshme për rimbursimin e pajisjeve janë bërë sidomos nga kreu i Shoqatës së Diabetikëve, Asim Toro, i cili në dijeni të problemeve shëndetësore, por sidomos të shpenzimit të diabetikëve, vit pas viti i ka kërkuar qeverisë të rimbursojë disa materiale mjekësore, që kushtojnë shtrenjtë, si: fishat, aget, pompat e insulinës, që blihen për çdo muaj nga të sëmurët.
Rimbursimi do të përfshijë materialet mjekësore për diabetikët si fishat, aget, pompa e insulinës, pra pajisjet që kanë kosto të përmuajshme për të sëmurët e stabilizuar.
“Falë ligjit të ri të FSDKSH, tanimë kemi hapësirat ligjore për të rimbursuar edhe materialet mjekësore, për të cilat ka pasur kërkesa të vazhdueshme në Fond nga popullata në nevojë. Ne do të bëjmë të mundur këtë vit edhe rimbursimin e materialeve mjekësore”, deklaroi Drejtori i FSDKSH-së, Astrit Beci.
Ndërkaq, ditën e djeshme në faqën zyrtare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, është bërë publike shtimi i 29 barna të reja, të cilat i janë shtuar listës së barnave të rimbursueshme për 2015. Në këtë mënyrë, numri total i barnave të rimbursueshme nga shteti shkon në 506 medikamente.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, masa e rimbursimit varion nga 50%-100%. Në bazë të VKM-së, barnat për mjekimin e ulçerës peptike do të mbulohen nga shteti në masën 70% , antidiabetikët në masën 50%-80%-95%, për antianemikët 95% ndërsa për barnat në terapinë kardiake 50%-80%.
Vendimi përcakton se reduktuesit e lipideve në gjak do të mbulohen në masën 50%, antibiotikët dhe kimioterapia dermatologjike në masën 50%, antiinfektivët dhe antiseptikët gjinekologjike në masën 70%, urologjikët në masën 70%.
Lista e barnave të rimbursueshme e vitit 2015, është një pjesë e rëndësishme e paketave të shërbimit që mbulon Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për popullatën. Lista e barnave të rimbursueshme ka si qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për të gjithë pacientët e në mënyrë të posaçme për shtresat në nevojë. Kjo listë barnash hyn në fuqi në 1 prill 2015./atsh/

Print Friendly, PDF & Email