Fondi i Sigurimeve: Rimbursim edhe për aget, fishat, protezat, pompat e insulinës

eci: Ndryshimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme nga të sëmurët

SHOQATA – “DIABETIKËT JANË LËNË NË MËSHIRË TË FATIT. PËRVEÇSE NJË ASISTENCË PREJ 9400 LEKËSH DHE RIMBURSIMIT TË INSULINAVE, SHTETI NUK OFRON ASGJË”

KOSTOJA – TË SËMURËT DETYROHEN T’U DREJTOHEN KLINIKAVE PRIVATE, KU ÇMIMET PËR ANALIZËN E HEMOGLOBINËS SË GLUKOZUAR NISIN NGA 1200-2000 LEKË

BLERJA – 100 FISHA KUSHTOJNË 5000 LEKË TË REJA. DUHEN KATËR AGE NË DITË, ME TË CILAT INJEKTOHET INSULINA, PRA RRETH 120 NË MUAJ

Ilda Hoxha

age per diabetinPas kërkesave të vazhdueshme nga të prekurit nga sëmundje të ndryshme apo nga shoqatat, që mbrojnë interesat e tyre, për rimbursim të materialeve dhe pajisjeve mjekësore, fondi i sigurimeve merr në konsideratë “hallet” e tyre. Drejtori i FSDKSH-së, Astrit Beci, bën me dije se për herë të parë, ligji i ri parashikon përveç rimbursimit të barnave edhe rimbursimin e disa pajisjeve mjekësore, premtim ky që do të gjejë zbatim brenda këtij viti. Propozime të vazhdueshme janë bërë sidomos nga kreu i Shoqatës së Diabetikëve, Asim Toro, i cili në dijeni të problemeve shëndetësore, por sidomos të shpenzimit të diabetikëve, vit pas viti i ka kërkuar qeverisë të rimbursojë disa materiale mjekësore, që kushtojnë shtrenjtë, si: Fishat, aget, pompat e insulinës, që blihen për çdo muaj nga të sëmurët. Por, pothuajse të njëjtat kërkesa kanë ardhur edhe nga persona të prekur nga sëmundje të tjera, pavarësisht se deri më tani asgjë nuk është marrë parasysh. Faktet pohohen edhe nga drejtori i Fondit, i cili thekson se kjo risi vjen posaçërisht për të lehtësuar xhepat e tyre nga shpenzimet e mëdha. Zyrtarisht mësohet se në rimburim do të përfshihen materialet mjekësore për diabetikët si fishat, aget, pompa e insulinës, pra pajisjet, të cilat kanë kosto të përmuajshme për të sëmurët e stabilizuar. “Falë ligjit të ri të FSDKSH, tanimë kemi hapësirat ligjore për të rimbursuar edhe materialet mjekësore, për të cilat ka pasur kërkesa të vazhdueshme në Fond nga popullata në nevojë. Ne do të bëjmë të mundur këtë vit edhe rimbursimin e materialeve mjekësore”, deklaroi Beci.

Kërkesat

Nga ana tjetër, ankesat nga shoqatat e diabetikëve në lidhje me kostot e larta dhe ndihmën e ulët ekonomike që marrin, e cila nuk u mjafton për të mbuluar shpenzimet kanë qenë të pandërprera. Sipas tyre, janë lënë të mëshirë ta fatit, pasi vetëm blerja e fishave për matjen e glicemisë shkon 5 mijë lekë të reja për 100 copë, ndërkohë që brenda 24 orëve nevojiten 4 të tilla. Kosto të lartë ka edhe blerja e ageve dhe pompave të insulinës. “Një problem shumë i madh dhe jetësor janë fishat e matjes së glicemisë. Nevojiten katër të tilla në 24 orë për matjen e sheqerit në gjak para vakteve e para fjetjes. Edhe këto shteti nuk i rimburson, ndërkohë që shtetet e Europës, madje edhe fqinjët i rimbursojnë. Dhe jo vetëm që të sëmurët detyrohen t’i blejnë vetë, por edhe çmimet janë të papërballueshme, 5000 lekë të reja për 100 fisha. E njëjta gjë mund të thuhet për aget me të cilat injektohet insulina. Duhen katër age në ditë, pra rreth 120 në muaj. Shumë diabetikë në vend, duke mos pasur mundësi financiare, detyrohen të përdorin të njëjtën age dy, tri, pesë, dhjetë herë, madje dhe më tepër. E kjo është për të ardhur keq!”, janë disa prej shqetësimeve të bëra vazhdimisht publike nga Shoqata e Diabetikëve.

Barnat

Një tjetër risi këtë vit është edhe shtimi në listën e barnave të rimbursueshme i 29 medikamenteve të reja. Këto barna do të zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si onkologji, gastro-hepatologji, pneumologji, reumatologji, infektiv, në terapinë kardiake, parkinson. “Lista e vitit 2015 është pasuruar me 29 barna të reja, 12 prej të cilave janë principe të reja aktive”, ka theksuar drejtori i Fondit të Sigurimeve, Astrit Beci. Shtimi i këtyre medikamenteve të reja në listën e barnave me rimbursim e çon në 506 numrin e tyre. Përpos kësaj, një tjetër ndryshim që pritet të fillojë zbatimin në fillim të muajit prill është edhe ai i dhënies së recetave të rimbursueshme dymujore për pacientët kronikë. Ky ndryshim fillon më 1 prill të këtij viti, me hyrjen në fuqi edhe të listës së re të barnave të rimbursueshme. “Një tjetër hap që po ndërmarrim në këtë drejtim, është dhënia e barnave me rimbursim për periudha deri në dymujore, për të zbutur burokracitë në marrjen e shërbimit shëndetësor”, argumentoi Beci.

Print Friendly, PDF & Email