Fjalim për DBD 2018 nga koordinatorja e Zërit të Pacientit nga Znj. Olimbi Hoxhaj

Krijuar nga IDF (FBD) dhe OBSH në vitin 1991, Dita Botërore e Diabetit është një ditë zyrtare e OKB-së. Kjo ditë është një ditë solidariteti me të gjithë ata që jetojnë me Diabet, ndërgjegjësimi në parandalim, për një jetesë dhe ushqyerje të shëndetshme, larg jetës sedentare dhe mungesës së aktivitetit fizik, si edhe advokimi institucional për kujdes, trajtim dhe mbështetje.

Fushatat ndergjegjesuese dhe aktivitetet që zhvillohen gjatë këtij muaji kanë për qëllim informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin e diabetit.

Për profesionistët e kujdesit shëndetësor, është një thirrje për të përmirësuar njohuritë në mënyrë që rekomandimet e bazuara në dëshmi, të vihen në praktikë. Shoqata qe na mblodhi sot synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e edukimit dhe parandalimit në diabet dhe në përpjekjet për të vonuar komplikimet në njerëzit që jetojnë me diabet. Anëtarët e Shoqatës besojnë se të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë me diabet kanë të drejtën e trajtimit, kujdesit, mbështetjes, arsimimit, të krijojnë familje  në të ardhmen dhe të kenë femijë të shëndetshëm, të drejtën për informim adekuat mbi diabetin etj.

Sipas shifrave të reja alarmante, çdo gjashtë sekonda vdes një person në botë si pasojë e diabetit të tipit 1 ose të tipit 2. Pothuajse gjysma e këtyre vdekjeve janë ndër personat e grupmoshës deri në 60 vjeç. Me pesë milion jetë të humbura nga diabeti në vitin 2015, ai vret më shumë sesa AIDS-i, tuberkulozi dhe malarja. Prevalenca e Diabetit në Shqipëri në popullatën adulte është 1.9%, që do të thote se kemi afërsisht 70 mijë diabetike të njohur.

  • Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë prevalenca e Diabetit të padiagnostikuar ka qënë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.
  • Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjec që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç .
  • Rreziku qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë,por edhe sepse forma e diabetit 2 po ndeshet tek fëmijët.
  • Diabeti që takohet më shumë është diabet tip 2 me 90% dhe 10% diabet tip 1. Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë ,dhe shpesh të” heshtur”ndaj thelbësore është sensibilizimi, informimi i komunitet për njohjen e diabetit

Instituti i Shëndetit Publik në raportin kombëtar të vitit 2014 nxori si përfundim se “gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar”.

Zgjidhjet për pandeminë spirale të diabetit duhet të përfshijnë përmirësimin e qasjes në terapitë e provuara por me kosto të ulët, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta që përballen me probleme të mëdha mjedisore dhe sociale. Nevojiten urgjentisht të dhëna specifike për barrën e diabetit, së bashku me një kuptim të qartë të shtrirjes së politikave kombëtare për parandalimin dhe kujdesin e diabetit. Në vendin tonë duhet të ekzistojnë shumë qasje vertikale në dhënien e kujdesit për diabetin, por shumë shpesh ato mungojnë. Integrimi horizontal i përpjekjeve do të rriste shumë efektivitetin e tyre.

Grupi ynë në mbeshtetje të shoqatave anëtare të Rrjetit është i angazhuar për të punuar me institucionet mjekësore dhe shëndetësore, qeverinë, dhe industrinë farmaceutike për të ndihmuar në parandalimin, kujesin dhe ndryshimin e rrjedhes te kësaj epidemie.

Rrjeti është i angazhuar për të shërbyer si avokati për të rinjtë dhe femijet që jetojnë me diabet; për forcimin dhe shpërndarjen e bazës së te dhenave për diabetin; për një qasje ndërdisiplinore ndaj menaxhimit të diabetit; dhe për të rritur ndikimin në iniciativat e edukimit mbi diabetin.

Në këtë Ditë Nderkombetare per Diabetin, Rrjeti i drejtohet të gjitha Institucioneve Shtetërore dhe politik-bërësve përmes ndërgjegjësimit, që të bëjnë pjesë të axhendës, programeve të punës dhe atyre politike sëmundjet kronike ku perfshihet edhe diabeti, si dhe garatimin e respektimin e të drejtave të pacientëve. Rrjeti thekson rëndësinë e amplifikimin të zërit të pacientëve, problemet e të cilëve janë të padëgjuara ose të injoruara, nga mungesa e vetëdijes në mesin e institucioneve e publikut të gjerë, apo për shkak të mungesës së legjislacionit që mbron të drejtat e tyre.

Autoritetet shtetërore dhe institucionet kombëtare, Organizatat pacientët dhe kompanitë farmaceutike duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer barrierat në rritje dhe pabarazitë në informimin dhe edukimin e pacientëve, mbështetje, monitorim, mbrojtje ligjore, dialog, buxhetim dhe legjislacion i ri apo përmirësim i atij ekzistues.

Sot ne kërkojmë: Qasje të barabartë në trajtim me ilaçe dhe ato klinike; jo më ilaçe të falsifikuara; ngritjen e strukturave për Vlerësim të  Teknologjisë Shëndetësore (HTA); qasja e bazuar në të drejtat e njeriut; inovacion; përfshirjen e pacientëve në politikë-bërje; kujdes shëndetësor me qendër pacientët; informim të pacientit me literaturë shëndetësore; rriten e sigurisë; trajtim me medikamente prioritare; angazhim maksimal për  Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm; mbulim universal për shëndet.

Kjo ditë le të jetë një rast për të diskutuar dhe marrë angazhime nga ana e Institucioneve Shtetërore për të përmirësuar respektimin e të drejtave të rinjve dhe femijeve me Diabet dhe përfshirjen e tyre në proçeset e hartimit të politikave, rregulloreve dhe protokolleve në nivel kombëtar.

Të rrish pa bërë asgjë nuk është një opsion.

Print Friendly, PDF & Email