Dita Botërore e Diabetit, Shoqata e Fëmijëve/të Rinjve me diabet: Ndihma sociale e diabetikëve në Shqipëri sa 1/3 e kostos së trajtimit

U shënua në 14 nëntor Dita Botërore e Diabetit e themeluar në vitin 1991 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Ndërkombëtare e Diabetit. Të dhënat më të fundit të federatës i përkasin 2014-ës, ku nga 387 milionë të prekur me diabet pritet që numri i tyre të arrijë në 600 milionë në vitin 2035 në të gjithë botën. Diabeti tip 2 mund të parandalohet në masën 70% nëse ndiqet një stil i shëndetshëm jetese, ndërsa është e pamundur të parandalohet diabeti tip 1. Numri më i madh i njerëzve me diabet i përket grupmoshës 40-50 vjeç dhe vetëm gjatë 2014-ës kjo sëmundje ka shkaktuar 4.9 milionë vdekje.

Ndërkaq në Shqipëri, Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet organizoi të dielën aktivitete me synim ndërgjegjësimin e politikbërësve dhe publikut të gjerë në lidhje me këtë sëmundje. Sipas të dhënave të shoqatës, kostoja mesatare për trajtimin e një diabetiku është 390.000 lekë në vit, ndërsa ndihma sociale që marrin 120.000 lekë në vit, pra sa një e treta e asaj që iu nevojitet realisht. Në komunikatën e saj për media, shoqata nënvizon se çdo 14 nëntor është premtuar nga institucionet shëndetësore rimbursimi i hemoglobinës, i fishave, lancetave dhe ageve, por asnjë nga premtimet nuk është realizuar. Dhe së fundi “në 15 nëntor 2014 me pjesëmarrjen e të gjitha Autoriteteve Shëndetësore Vendimmarrëse u premtua se në Listën Nr. 2 që do të rimbursonin materialet dhe pajisjet mjekësore e cila do të finalizohej në Qershorin e 2015“, thuhet ndër të tjera në komunikatë. Si rrjedhojë personat me diabet iu adresojnë një sërë kërkesash institucioneve përgjegjëse:
“1-Të bëhet rimbursimi i fishave për matjen e nivelit të sheqerit (glicemisë) dhe ageve të aparateve matës (lancetave) dhe ageve për injeksionin e insulinës, të cilat janë të domosdoshme për ditë po aq sa edhe insulina që rimbursohet.
2- Kryerjen e analizës të HbA1c në të gjithë Shqipërinë ose të paktën në spitalet rajonale.
3- Rishikimin dhe shkurtimin e procedurave për marrjen e insulinës e ndryshimin e dozave të saj.
4- Dalja në KEMP për personat me diabet të tipit-1 të kryhet së shumti një herë në tre vjet dhe jo çdo vit
“.

14 nëntori është caktuar si Dita Botërore e Diabetit në nder të ditëlindjes së Frederik Banting, i cili  bashkë me Charles Best (të dy shkencëtarë kanadezë), të parët që izoluan nga pankreasi i qenit insulinën, duke zbuluar faktorin vendimtar për shpëtimin e jetës së personave me diabet.

Print Friendly, PDF & Email