Diabetikët: Shteti të na rimbursojë 2 nga 4 fishat

Vështirësitë në marrjen e shërbimit mjekësor, si dhe kostoja e lartë e trajtimeve po rrezikojnë gjithnjë e më shumë shëndetin e pacientëve diabetikë. Ndërlikimet e shkaktuara nga kjo sëmundje sa vijnë e shtohen, duke mos kursyer as moshat më të vogla.

Raportimet e bëra nga strukturat spitalore flasin për të dhëna shqetësuese sa i takon grupmoshave të rrezikuara, pasi fatkeqësisht, sëmundja e diabetit nuk po kursen as fëmijët. Në vitet e fundit është konstatuar ulje e moshës së pacientëve të prekur prej diabetit, nga 5-11 në 0-5 vjeç, çka flet për një gjendje tejet problematike duke qenë se trajtimi i sëmundjes po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Kreu i Shoqatës së të Rinjve dhe Fëmijëve me Diabet, Asim Toro, bën me dije për gazetën “Dita”, se prindërit si përgjegjës kryesorë në identifikimin dhe mbarëvajtjen e kontrollit të diabetit tek fëmijët e tyre hasin vështirësi të shumta, që në pritjen e tejzgjatur për vizitën ose konsultën tek mjeku endokrinolog, e deri në marrjen e mjekimeve të duhura që nevojiten për ndërlikimet e shfaqura në shëndet.

Asim Toro

“E nëse mjeku konstaton se rasti duhet të shtrohet, pacientit i duhet të kujdeset vetë për të siguruar aparat, fisha dhe lanceta për të matur sheqerin, age për të injektuar insulinën, mungesa për të cilat infermierja udhëzon edhe farmacinë se ku duhet të merren. Kostoja e të cilave është shumë e lartë”, sqaron Toro.

Pavarësisht premtimeve të bëra në vite nga drejtuesit e dikastereve shëndetësore, përfshirja e këtyre pajisjeve dhe materialeve mjekësore në skemën e rimbursimit mbetet ende në letër. Edhe gjatë vitit të shkuar personave me diabet iu premtua përfshirja e fishave në skemën e rimbursimit, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Duke parë gjendjen e vështirë të shumë pacientëve lidhur me trajtimet që duhet të ndjekin, Toro kërkon mbështetje për fëmijët dhe të rinjtë me diabet, duke kërkuar shtesë në ligji për rimbursim të medikamenteve si paketë e veçantë, që Fondi i Sigurimit Shëndetësor duhet të bëjë, për të realizuar rimbursim total të analizës së Hemoglobinës së Glukozuar në gjithë vendin, të sigurohen reagentët të paktën në spitalet rajonale, rimbursim të ageve, lancetave, fishave për fëmijët dhe të rinj me diabet.

Sipas tij, përgjatë një dite një pacient diabetik duhet të përdorë 4-fisha (1 esëll dhe nga 1 pas çdo vakti). Kostoja e tyre është shumë e lartë, dhe përballë vështirësive që kanë pacientët në sigurimin e tyre, kërkohet që të paktën dy prej këtyre fishave të përfshihen në skemën e rimbursimit nga shteti. Toro thekson më tej se duhet të bëhet i mundur edhe lehtësimi i procedurave të marrjes të insulinave analoge dhe mos të ketë pengesa për ta siguruar insulinën analoge, apo ndryshim të dozave të saj, sikundër ndodh rëndom.

Sorollatjet me dokumentet

Përgatitja e dokumenteve që nevojiten për sigurimin e trajtimeve është një tjetër problematikë që pengon marrjen e trajtimeve për pacientët diabetikë. Kreu i Shoqatës së të Rinjve dhe Fëmijëve me Diabet, bën thirrje që të bëhet një rishikim i procedurave të përsëritura për përgatitjen e dokumenteve të daljes në “Kemp” çdo vit, si dhe ndihmës sociale që i jepet personave me diabet të mundësohen çdo 3-vjet, e jo të kërkohen çdo 3-muaj dokumente shkollore për sigurim të “Kemp-it”.

“Ne kërkojmë të rishikohet mundësia e rimbursimit të pompave të insulinës për fëmijët dhe të rinjtë që kanë një diabet të çekuilibruar dhe komplikacione të shkaktuar nga diabeti, siç ndodh dhe në vendet tona fqinje”, vë në dukje Toro. Sipas tij, nëse nuk ndërhyhet në përmirësimin e këtyre kushteve, problemet që do të shfaqen me kalimin e viteve do të jenë shumë të mëdha, pasi kostot e trajtimit të sëmundjes pas shfaqjes së ndërlikimeve të shkaktuara nga debati do bëhen të papërballueshme.

“Diabeti është një sëmundje që po 2-fishohet dhe kështu që duhen shtuar me këto ritme edhe përpjekjet për parandalimin, si dhe trajtimin e hershëm të sëmundjes. Për fat të keq numri i fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje është duke u rritur. Pas daljes nga spitali këta fëmijë mbeten të izoluar dhe në kushte të tilla shtrohet pyetja: Do i japim ndihmë sociale, apo edhe një paketë të kompletuar? Në botë është zgjedhur kjo paketë. Është momenti që ta bëjmë edhe në Shqipëri. Po ashtu edhe krijimi i regjistrit kombëtar të diabetikëve është me rëndësi të jashtëzakonshme në menaxhimin më të mirë të sëmundjes”, thekson Toro.

Somarjo

“Në emër të komunitetit me diabet, janë zbuluar shumë herë abuzime masive të mbushjeve të recetave për marrje të insulinave me vlera të mëdha monetare nga shteti, gjë që ka sjellë vështirësi për realizimin e materialeve mjekësore që ne kërkojmë të na rimbursojnë me të drejtë, si ndodh dhe në vendet fqinje. Për marrje të medikamentit insulinë ne duhet të paraqitemi çdo 6-muaj me dokumentacione për t’i treguar që kemi diabet, sepse shteti nuk kërkon të ndërtoj një database për komunitetin e pacientëve”, thekson kreu i Shoqatës së të Rinjve dhe Fëmijëve me Diabet, Asim Toro.

Studimi për kostot e papërballueshme të trajtimit të sëmundjes

Sipas një studimi të kryer nga kjo shoqatë në lidhje me kostot mujore dhe vjetore të trajtimit të sëmundjes, referuar kritereve dhe këshillave të marra nga mjekë endokrinologë, personat që kanë diabet duhet të shpenzojnë 13.127 lekë në ditë për të siguruar: “Glukagon, age, fisha, lanceta, alkool, pambuk, si dhe shtesa insuline”. Por, veçse medikamenteve të përmendura më lart, pacientët duhet të bëjnë edhe 32 analiza dhe vizita në vit, nga të cilat disa janë dhe të përsëritura çdo 3 dhe 6 muaj (vlera e të cila përllogaritet të jetë 19.258 lekë/vit. Të gjitha këto konsumime ditore dhe kontrolle vjetore, gjithmonë sipas rekomandimeve të mjekëve endokrinolog arrijnë një kosto vjetore prej 388.620 lekë për person në vit (kosto mujore arrijnë 32.385 lekë). Ndërkohë që shteti shqiptar ka siguruar një ndihmë sociale prej 9.400 lekësh në muaj për këta pacientë, e cila është e papërballueshme kundrejt kostos reale të trajtimeve.

Nëse këto analiza nuk ndiqen në mënyrë të rregullt personit me diabet i fillojnë:

Tre komplikacione që janë:

Lëkura diabetike.

Plagët në diabet.

Kmplikacionet kronike.

Ndërsa 5 sëmundjet e pashmangshme janë :

Hipertensioni arterial.

Sindromi metabolik.

Hiperlipidemia.

Oobeziteti.

Hipoglicemia.

 

Me daljen jashtë kontrollit të sëmundjes, pacienti nis luftën me komplikacione të tilla si:                    

Dëmtimi i syve, që shfaqet kryesisht me “Retinopati diabetike”

Dëmtimi i zemrës, që shfaqet nëpërmjet “Arterie koronare”.

Dëmtimi i trurit, që manifestohet me “Goditjen cerebrale”

Dëmtimi i veshkës, që manifestohet me “Nefropati diabetike”

Ulçera diabetike është prezente në shumë pacientë.

Dëmtimi i nervave, që manifestohet me “Neuropati diabetike”

 

Shtimi i kostos për trajtimin e ndërlikimeve

Kostot shtohen edhe më shumë kur ndërlikimet janë shfaqur dhe pacientit i duhet që të bëjë një sërë ndërhyrjesh për të shmangur pasojat fatale në shëndet. “Dhe për të gjitha këto shteti ndihmon me një ndihmë sociale afërsisht 9.400 lekë/muaj, e cila ndërpritet kur fillon një punë me pagesë minimale, ose një stazh shkolle për faktin se paguhen sigurimet (një lloj diskriminim i hapur për këtë pjesë që e ka një problem faktik)”, sqarohet në studim. Po sipas studimit, kur fillojnë të shfaqen 6 komplikacionet e përmendura, pacientit dhe shtetit i shtohet një kosto tjetër, që është ajo e shtrimit në spital. Nga një përllogaritje e thjeshtë shtrimi në një spital shtetëror për një natë shkon 8.000 lekë, ndërkohë që një pacienti i duhet të qëndrojë minimalisht 3 deri në 5 ditë. /Pranvera Kola/Dita/

Print Friendly, PDF & Email