Diabetikët në rrethe: Po rrezikojmë verbimin

Mungesa e shërbimeve në rrethe, vështirësia në gjetjen e një vendi pune, si dhe kostoja e lartë e trajtimit të sëmundjes për shkak të mungesës së rimbursimit të fishave, apo materialeve të tjera mjekësore të nevojshme, po e rëndon edhe më tepër gjendjen shëndetësore të këtyre pacientëve. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, Asim Toro, thekson për “Dita”, se duhet të zgjerohet skema e rimbursimit, për të shmangur ndërlikimet e sëmundjes, të cilat dëmtojnë zemrën, çojnë në verbëri, apo nxjerrin jashtë funksionit veshkat.

Shtimi i këtyre ndërlikimeve do jetë edhe një barrë më e rëndë për vetë individin e sëmurë, po ashtu edhe për shtetin. Sipas tij, dëmtimi i syrit tek këta pacientë vjen si pasojë e diabetit të pa stabilizuar për një kohë të gjatë. Gjendja konstatohet në analizën e Hemoglobinës së Glukozuar HbA1c, e cila ka nisur të rimbursohet pjesërisht, për faktin se nuk ka reagent. HbA1c në këtë rast është tej normave të lejuara.

asim-toro-300x199

Asim Toro

Më tej, Toro shton se shkaku i rëndimit të sëmundjes është edhe i një natyre tjetër, që ka të bëjë me moszbatimin e ligjit për punësimin e personave që kanë probleme shëndetësore, duke u shkaktuar kështu stres, faktor i cili çon në rëndimin e sëmundjes dhe ndërlikimeve, e që në këtë rast kanë të bëjnë me dëmtimin e shikimit.

“Unë mund të duroj gjithçka që mund të më rezervojë jeta, përveçse një gjë: “verbërinë”, këtë s’kam për ta pranuar kurrë! Qendrat Shëndetësore nëpër rrethe nuk kanë çfarë të ofrojnë, madje as kontrollin minimal të syrit, kurse Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet nuk ofron kirurgji vitreoretinale për shkak se ka mungesë të aparaturave të nevojshme, siç është aparatura “Endolazer” dhe “Vitreoktemi posterior”.

Retinopatia diabetike (RD) është një nga komplikacionet mikrovaskulare më të shpeshta të diabetit të tipit I dhe 2”, vë në dukje Toro. Ajo përbën një prej shkaqeve kryesore të verbimit tek personat nën 60 vjeç. Kirurgjitë vitreoretinale për shumë sëmundje të retinës që më parë ishte e pamundur të trajtohen dhe që jo rrallë çonin deri në verbim, sot mund të trajtohen me një sukses të madh. Përveç kirurgjisë vitreoretinale 20 gauge, aplikohet edhe metoda 23, 25 dhe 27 gauge, e njohur ndryshe si kirurgjia pa përdorimin e penjve, apo “suturless”.

Vitrektomia është metodë shumë e sofistikuar kirurgjikale, e cila për t’u realizuar kërkon personel të kualifikuar dhe teknologji shumë të avancuar. Këtu ka staf mjekësor të kualifikuar, por e theksoj që nuk ka aparatura. “Bëj me dije se mos rimbursimi i medikamenteve për diabetin, minimalisht fishat, na sjell si pasojë e moskontrollit të glicemisë, verbim të parakohshëm, duke rritur numrin e personave që nuk shikojnë.

E gjithë kjo situatë avancon edhe më tej, duke shtuar kostot për kujdestarinë e këtyre personave, duke shtuar kostot për familjarët dhe shoqërinë nëpërmjet taksave. Aq më tepër për personat që jetojnë jashtë Tirane, të cilëve për vite me radhë u është dashur të marrin rrugët drejt kryeqytetit për të siguruar trajtimet e domosdoshme për këtë sëmundje dhe ndërlikimet që vijnë prej saj. Shteti duhet të marri masat për rimbursime dhe për bashkëpunimet me klinikat private, ose të sigurojë kushtet duke blerë aparatura, përderisa specialistët janë. Ku të shkojmë për të marrë një zgjidhje, dhe a ka do një strategji për këtë çështje, të formës paketë të deleguar në klinika private?”, vë deklaron Toro.

pacientDëmtimet më të shpeshta të shkaktuara nga diabeti

Sëmundja e arterieve koronare është komplikacioni më i shpeshtë. Të sëmurët me diabet tip 2 kanë rrezik dy herë më të shpeshtë se sa personat pa diabet për të bërë sëmundje kardiovaskulare (të zemrës).

Insuficienca kardiake kongjestive është më e shpeshtë në të sëmurët me diabet dhe shfaqet më rëndë. Gjithashtu, një ndër ndërlikimet më serioze që shfaqet tek diabetikët është dhe problemi me sytë. Të sëmurët ankojnë për turbullim të shikimit, vështirësi në pamje e cila mund të jetë e ndikuar dhe nga niveli i lartë i sheqerit në gjak.

Nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë, pacienti rrezikon deri në humbje të plotë të shikimit. Specialistët e shëndetit thonë se diabeti dëmton së tepërmi edhe punën e veshkave. Këto të fundit bëjnë filtrimin e mbeturinave të depozituara në gjak.

Sheqeri i lartë në gjak dhe tensioni arterial mund të dëmtojnë enët që bëjnë filtrimin duke e bllokuar këtë proces. Dëmtimi i veshkave nga diabeti mund të ndodh ngadalë saqë personi nuk arrin ta kuptojë.

Një ndër shenjat kryesore që tregon se veshka është duke u dëmtuar është se personi fillon të ndjejë këmbët të fryra dhe të urinojë më shpesh, sidomos gjatë natës. Sa më shumë dëmtimi i veshkës përkeqësohet, më shumë proteina humbet përmes urinës.

Kjo quhet proteinuri. Personi mund të ndjejë të përziera, lodhje, këputje, të humbasë oreksin dhe të ketë dhembje të këmbëve. Të sëmurët me diabet duhet të tregojnë një kujdes të veçantë edhe për këmbët.

Çdo i sëmurë duhet që t’i lajë çdo ditë këmbët me ujë të ngrohtë dhe me sapun, më pas duhet t’i thajë ato me peshqir të pastër. Duhet t’i presin thonjtë me kujdes jo thellë dhe t’i bëjnë me limë. Gjithashtu duhet të përdorin çorape pambuku, dhe të veshin këpucë sa më të rehatshme.

Ato duhet t’i kontrollojnë çdo ditë këmbët se mos është shfaqur ndonjë flluske apo plagë të vogla me qëllim që në momentet e para të paraqiten tek mjeku i tyre për t’u mjekuar sepse çdo vonesë mund të jetë një rrezik për këmbën. Të mos prekin objektet e nxehta për t’u ngrohur sepse mund të digjen.

Diabeti shkakton edhe vështirësi seksuale. Si meshkujt dhe femrat me diabet paraqesin vështirësi seksuale, sidomos nëse ata janë të diagnostikuar prej vitesh. Dëmtimi i nervit të quajtur neuropati diabetike autonome, shkakton impotencë tek burrat dhe femrat mund të kalojnë në humbje të ndjeshmërisë rreth zonës vaginale.

Kontrolli i sheqerit është zgjidhja më e mirë për parandalimin e kësaj problematike. Mjaft të pranishme janë edhe dëmtimet e sistemit nervor, sidomos nervat e gjatë të anësive (kjo quhet neuropati).

Pjesa dërrmuese e pacientëve e zbulojnë sëmundjen shumë vite pasi ka nisur të zhvillohet

okulist-syte-e1421761538206Rreth 1/3 diabetikëve rrezikojnë edhe humbjen e shikimit

Në shumë vende të botës diabeti është shkaktari kryesor i verbimit, sëmundjeve kardiovaskulare, insuficiencës renale dhe amputacionit të pjesës së poshtme të gjymtyrëve. Në grupin e ndërlikimeve më të shpeshta të evidentuara nga diagnostikimi i vonë i sëmundjes së diabetit, është retinopatia diabetike, e cila mund të çojë deri në humbje të plotë të shikimit.

Sipas të dhënave të raportuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në prag të “Ditës Botërore të Diabetit (14 nëntor), rezulton se 1 në 3 persona që vuajnë nga diabeti, janë të prekur edhe nga dëmtimet e shikimit, ose siç njihet në gjuhën mjekësore retinopatia diabetike. Kundrejt shifrave në rritje të sëmurëve, autoritetet e shëndetit publik theksojnë se menaxhimi i sëmundjes dhe i komplikacioneve duhet të fillojë që në kujdesin shëndetësor parësor (tek mjeku i familjes), ku gjatë kontrolleve, duhet të kryhen edhe vizitat për retinopatinë diabetike.

Zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë i këtij ndërlikimi, mund të parandalojë humbjen e shikimit, si dhe të reduktojë impaktin që diabeti ka në shëndetin e pacientit, teksa ul edhe kostot për nevojën e një kujdestari apo trajtimeve të shtrenjta që nevojiten. Duke iu referuar nevojës urgjente për diagnostikim të hershëm, ekspertët e OBSH-së, thonë se pjesa dërrmuese e komplikacioneve të sëmundjes së diabetit mund të kapen dhe të diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet ndjekjes së programeve të rregullta të kontrollit.

Çka më pas do të çojë edhe në parandalimin e ndërlikimeve që mund të vijnë prej kësaj sëmundjeje. Konkretisht, sipas Federatës Botërore të Diabetit gjysma e atyre që vuanin nga diabeti në vitin 2015, ishin të pavetëdijshëm për sëmundjen e tyre.

“Sa më herët që personi të diagnostikohet, aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Një njeri me diabet tip 2 mund të jetojë për disa vite pa dhënë asnjë shenjë, apo simptomë të sëmundjes, por gjatë kësaj periudhe niveli i lartë i sheqerit në gjak në mënyrë të heshtur e dëmton trupin e tij.

Ndaj është nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve që vuajnë nga kjo sëmundje”, bëjnë me dije autoritetet e shëndetit publik.

diabetSipas tyre, çdo person duhet të dijë që diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit, (humbjes së shikimit) insuficiencës renale dhe amputimeve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy, të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen, apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit sa më afër normës.

Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit (kontrolleve mjekesore), duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e tyre.

Nga trajtimi i rasteve të paraqitura në strukturat spitalore, është konstatuar se rreth 70 për qind e rasteve me diabet tip 2 mund të parandalohen, teksa mund të merren masa edhe për shtyrjen e shfaqjes së tij, nëpërmjet ndjekjes së një stili jetese të shëndetshëm.

Të dhëna të frikshme po raportohen edhe në radhët e të vegjëlve që po diagnostikohen me këtë sëmundje. Diabeti gjatë fëmijërisë po bëhet një problem botëror në shëndetin publik pasi në shumë vende të botës kemi një rritje të inaktivitetit fizik dhe të ushqyerjes jo të shëndetshme te fëmijët.

Shumë njerëz jetojnë për një kohë të gjatë me diabetin tip 2 pa qenë të ndërgjegjshëm për praninë e kësaj sëmundjeje. Dhe në kohën kur ata diagnostikohen komplikacionet e diabetit tashmë janë të pranishme. Vonesat në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje nënkuptojnë që shumë njerëz me diabetin tip 2 do të kenë të paktën një komplikacion në momentin kur diagnostikohen për sëmundjen e diabetit.

Pranvera Kola /DITA

Print Friendly, PDF & Email