DIABETIKËT, MINISTRIA: RIMBURSIM FISHAVE PËR MATJEN E GLICEMISË

Ola Mitre
Për herë të parë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përveç barnave, do të rimbursojë dhe materiale mjekësore. Aktualisht është duke u diskutuar mbi llojet e materialeve që pritet të mbulohen nga shteti, ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë thanë për “Gazeta Shqiptare” se gjithçka është përqendruar te fishat e matjes së glicemisë për diabetikët si dhe te protezat e gjymtyrëve. “Grupi i punës është duke diskutuar se cilat do të jenë materialet dhe pajisjet mjekësore që do të mbulohen nga buxheti i FSDKSH-së, por mund të themi që po merret në konsideratë futja në listën e rimbursimit e fishave për matjen e glicemisë për personat që vuajnë nga diabeti si dhe protezat”, u shprehën përfaqësuesit e MSH. Ndërkohë që, të pyetur në lidhje me një rimbursim të pjesshëm apo të plotë të të gjitha fishave që i nevojiten një personi që vuan nga diabeti, ata thanë se është ende herët për të folur për detaje, pasi po merren në konsideratë disa variante. Po ashtu, të njëjtët përfaqësues thanë se ende nuk është vendosur nëse rimbursimi i protezave do të bëhet si për këmbët dhe për duart, por duket se synimi kryesor është te gjymtyrët e poshtme, pasi dhe kërkesat janë më të shumta. Sa i takon afateve, përfaqësuesit e MSH-së bënë me dije se synimi kryesor është që ato të futen që nga 1 prilli, datë që përkon dhe me hyrjen në fuqi të listës së re të barnave me rimbursim. Rimbursimi i fishave për matjen e glicemisë u diskutua edhe një vit më parë, por nisma nuk u finalizua me sukses, duke bërë që ato të mos bëheshin pjesë e listës. Ndërkaq, garancia për këtë vit është dhënë nga vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili gjatë analizës vjetore të punës së FSDKSH-së tha se kjo masë do të merret pas kërkesave të shumta që kanë ardhur nga grupet e interesit.
Kostoja e fishave
Ndërkaq, Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, ka përllogaritur koston që është e detyruar të paguajë kjo kategori çdo muaj. Kështu, një person që vuan nga diabeti duhet të përdorë minimumi 3 fisha dhe maksimumi 7 fisha në ditë për të matur nivelin e sheqerit në gjak, ndërsa mesatarisht ai duhet të përdorë 4 fisha të tilla në ditë. Kjo do të thotë se në një muaj nevojiten 120 fisha, që kushtojnë 50 lekë secila, duke arritur në përfundimin se çdo muaj një fëmijë diabetik detyrimisht duhet të harxhojë 6.000 lekë. Nëse kjo shumë përllogaritet në bazë vjetore, atëherë kjo kategori duhet të shpenzojë 73.000 lekë për këtë periudhë kohore. Por, fishat e glicemisë nuk janë të vetmet materiale mjekësore që i nevojiten një diabetiku, pasi paralelisht ai përdor aget dhe lançetat, për të cilat ende nuk është menduar mundësia e rimbursimit.
Kostot e diabetikëve
Sipas Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, një person që vuan nga kjo sëmundje duhet të kryejë rreth 32 analiza dhe vizita në vit, nga të cilat, disa janë çdo 3 ose 6 muaj. “Të gjitha këto konsumime ditore dhe kontrolle vjetore, gjithmonë sipas rekomandimeve të mjekëve, arrijnë një kosto vjetore prej 388.620 lekësh për person dhe për të gjitha këto shteti ndihmon me një ndihmë sociale 9.400 lekë, e cila ndërpritet kur fillon një punë me pagesë minimale ose një stazh shkolle, për faktin se paguhen sigurimet”, thekson SHFRD, ndërsa e konsideron këtë ‘një lloj diskriminimi të hapur për këta persona’.

“Kërkesa për rimbursim materialesh e përsëritur, ne jemi të vonuar”
Ne po punojmë me Fondin për të filluar këtë vit për
herë të parë rimbursimin e pajisjeve mjekësore”. Deklarata u bë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë Analizës Vjetore të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila u mbajt pak ditë më parë. Ministri nuk preferoi të përmendë materiale konkrete, por tha se “kërkesa në këtë drejtim është e përsëritur, por ne jemi të vonuar”. “Kemi një situatë jo aq të lehtë sa te barnat, sepse nëse te barnat çmimi i tyre është çmim i rregulluar, te pajisjet mjekësore çmimi nuk është i rregulluar dhe po punojmë fillimisht të bëjmë një kuadër rregullator se si do të rimbursojmë pajisjet. Më pas, në bazë të mjeteve financiare që kemi, do të përcaktojmë se nga cilat pajisje do ta fillojmë rimbursimin”, – deklaroi ministri.

Print Friendly, PDF & Email