Diabeti? (Informacione të përgjithshme)

Çka në të vërtetë është diabeti?

 

Roli i glukozës në gjak dhe insulina

Diabeti është sëmundje kronike, çka do të thotë se në gjak keni tepër glukozë (sheqer), por nuk keni mjaft glukozë në qelizat e trupit tuaj.

Glukoza është një nga burimet më të rëndësishme të energjisë së trupit, por që të përdoret kjo energji, glukoza duhet të transportohet nga gjaku deri në qelizat e trupit. Për këtë, nevojitet të ketë mjaft insulinë.

Tipi më i zakonshëm i diabetit është diabeti i tipit 2. Te ky tip, ose pankreasi nuk prodhon mjaft insulinë, dhe/ose qelizat janë bërë më pak të ndjeshme ndaj insulinës. Transporti i glukozës në qelizat tuaja nuk është adekuat dhe si rezultat i saj, rritet glukoza në trupin tuaj.

 

Simptomat e hershme dhe pasojat afatgjata

Diabeti i tipit 2, zakonisht paraqitet te të rriturit, edhe pse gjithnjë e më shumë paraqitet edhe te fëmijët dhe të rinjtë. Pasha e tepërt zmadhon rrezikun e paraqitjes së tij. Diabeti i tipit 2 nuk është sëmundje ngjitëse.

Diabeti i tipit 2 zhvillohet gradualisht dhe nuk dhemb, prandaj mund që të mos zbulohet një kohë më të gjatë.

Pas një periudhe të gjatë, vlerat e larta të glukozës në gjak mund të shkaktojnë dëmtime serioze të syve, zemrës, veshkave, nervave dhe enëve të gjakut.

 

Trajtimi i diabetit shkon sipas planit

Me trajtim të përshtatshëm të diabetit, dëmtimet mund të shmangen dhe mund të bëhet një jetë normale, sa të jetë e mundur, të vazhdohet me karrierën, të merret pjesë në sport dhe të bëhen fëmijë.

Diabeti i tipit 2 kërkon të adaptoni stilin e jetesës suaj, duke u fokusuar në aktivitetet fizike dhe zvogëlimin e peshës.

Është e detyrueshme rregullisht të matni nivelin e glukozës në gjakun tuaj. Marrja e barnave adekuat që të harmonizohet tajimi i insulinës dhe ndjeshmëria e insulinës ndihmon në mbajtjen e glukozës në gjak brenda kufijve normalë. Shumica, por jo të gjithë pacientët me diabet të tipit 2 kanë nevojë nga insulina shtesë.

 

 

Hipoglicemia dhe hiperglicemia

 

Hipoglicemia

Në disa raste, glukoza në gjakun tuaj mund të arrijë vlera nën kufijtë normal (më pak se 4 mmol/L). Kjo dukuri quhet hipoglicemi.

Hipoglicemia mund të paraqitet:

  1. Nëse nuk hani mjaft karbohidrate
  2. Nëse shtyni ushqimin me karbohidrate pas injektimit të insulinës
  3. Pas marrjes së barit që zvogëlon glukozën në gjak.
  4. Pas aktivitetit fizik

Hipoglicemia mund të paraqitet edhe në mbrëmje. Gjithmonë duhet të keni ndonjë formë të glukozës, për shembull 2-3 kube sheqeri ose tableta glukozë, si edhe të keni afër glukometrin për matjen e glukozës në gjak.

Simptomat e hipoglicemisë mund të ndryshojnë te secili njeri. Shenjat e para në shumicën e rasteve janë: djersitja, zbehja, uria, dridhja, shikimi i turbullt, agjitimi, marramendja dhe kokëdhembja.

Hipoglicemia mund të jetë e rrezikshme. Në qoftë se nuk ndërmerret asgjë ose intervenimi është i vonuar, mund të humbni vetëdijen. Për të shmangur këtë dukuri, mund të pini një gotë Kolë, të hani diçka të ëmbël ose të konsumoni 3-4 tableta glukozë. Keni kujdes për nivelin e glukozës, ashtu që rregullisht ta matni atë.

Gjithmonë mbani me vete ndonjë formë të glukozës. Rekomandohet që, familja juaj, miqtë dhe kolegët t’i njohin shenjat dhe simptomat e hipoglicemisë dhe të mund të marrin veprime nëse është e nevojshme.

 

Hiperglicemia

Hiperglicemia (kur niveli i glukozës është më i lartë se 12 mmol/L) shpeshherë lidhet me simptomat në vijim: etje, urinim i shpeshtë dhe i tepruar,  lodhje dhe pafuqi.

Pacientët me hiperglicemi tajojnë sheqer në urinën e tyre.  Mbani mend se hiperglicemia që ekziston një periudhë më të gjatë, mund të jetë e lidhur edhe me humbjen e peshës trupore.

Në kushte të caktuara,  njerëzit me diabetin e tipit 2, të cilët nuk e kotrollojnë glukozën në gjakun e tyre, mund të zhvillojnë nivele shumë të larta. Atëherë, trupi përpiqet të çlirohet nga sheqeri i tepërt ashtu që eliminon sheqerin përmes urinës. Kjo në mënyrë të konsiderueshme e zmadhon sasinë e urinës dhe ka për pasojë humbjen e tepërt të lëngjeve të trupit, deri në atë shkallë saqë mund të shkaktojë sulme, komë, bile edhe vdekje.

 

 

Vetëkontrolli i glukozës në gjak

 

Kontrolloni diabetin tuaj në 4 hapa

Lehtë mund ta kontrolloni vetë glukozës në gjakun tuaj. Nivelet e synuara janë:

Në esëll: <5.6 mmol/L

Dy orë pas ushqimit: <7.8 mmol/L

Që të bëni vetëkontroll, ju nevojitet: glukometër, test shiritat, lancetat dhe lapsi i shpuarjes. Konsultohuni me mjekun tuaj.

Para se të filloni, lani duart dhe thani ato mirë.

Përgatitni lapsin e shpuarjes dhe shponi majën e gishtit.

Ndiqni udhëzimet në glukometër për mënyrën se si të pikohet pika e gjakut dhe të vazhdojë matja e glukozës.

Pritni deri sa të tregohet rezultati dhe shënoni në ditarin tuaj për diabetin. Ndiqni udhëzimet që janë në glukometrin tuaj për mënyrën e hedhjes së mbeturinave nga shiritat dhe lancetat.

Nivelet e glukozës në gjak të preferuara nga ju do të precizohen në konsultim me mjekun tuaj. Në çdo takim me mjekun tuaj, mbani me vete ditarin tuaj për diabet.

Mjeku do ta përcaktojë nivelin e HbA1c-së në gjak, në intervale të rregullta. HbA1c është matje për glukozën mesatare 8-12 javët paraprake dhe duhet të jetë 7%, ose më poshtë.

 

 

Diabeti dhe ushqimi

 

Shprehitë për ushqim të shëndoshë kanë kontribut të jashtëzakonshëm në suksesin e mjekimit tuaj

Konsumimi i ushqimit të shëndetshëm është baza e mjekimit te njerëzit me diabet të tipit 2. Njerëzit me mbipeshë duhet të ndjekin mënyrën e ushqimit të shëndoshë dhe të konsumojnë më pak kalori.

Stili i shëndoshë i jetesës është i rëndësishëm për të gjithë, çdo ditë nga gjysmë ore aktivitet fizik ndihmon në zvogëlimin e peshës trupore, normalizimin e nivelit të glukozës dhe mbrojtje nga komplikimet e diabetit.

Për ato persona që përdorin insulinë, është e rëndësishme të dinë sa karbohidrate përmbjanë lloje të ndryshme të ushqimit. Asnjëherë mos shtyni ose kaloni ngrënien dhe hani rregullisht gjatë gjithë ditës.

 

Karbohidrate

Hani sa më pak të jetë e mundur sheqerna të thjeshta (siç janë ëmbëlsirat, mjalti ose sheqeri i rëndomtë). Shpërndani konsumimin e karbohidrateve gjatë tërë ditës.

 

Fibrat bimore

Fibrat bimore janë të shëndetshme. E zvogëlojnë absorbimin e sheqerit dhe e mbrojnë zemrën dhe enët e gjakut. Fibrat bimore janë shumë të rëndësishme edhe për funksionimin e mirë të zorrëve dhe për jashtëqitje të rregullta. Perimet, ushqimi kokrrizor dhe prodhimet integrale përmbjanë shumë fibra bimore.

 

Yndyrnat

Përdorni vajra të lëngshëm siç është vaji nga soja, misri, ose nga luledielli. Përdorni më pak yndyrnat e rënda siç janë puteri dhe gjalpi.

 

Proteinat

Konsumoni në mënyrë reciproke edhe proteina shtazore edhe proteina bimore (bizele, thjerrëza, fasule). Nga mishi konsumoni peshk, pulë dhe mish viçi.

 

Alkooli

Kufizoni konsumimin e alkoolit. Pini më së shumti 2 gota verë, ose 1-2 gota alkool i fortë, 1 gotë birrë (duke marrë parasysh se birra përmban karbohidrate edhe ato duhet të jenë të përfshira si kalori plotësuese në ushqimin tuaj). Nuk rekomandohet konsumimi i alkoolit nëse keni mbipeshë, sepse ai përmban sasi të madhe të kalorive plotësuese.

 

Sheqeri

Përdorni sheqerin në mënyrë të matur. Ëmbëlsirat janë të mira për korrigjim të shpejtë kur papritmas dhe jashtë kufijve normal zbret niveli i glukozës (hipoglicemia).

 

 

Insulina

 

Rreth gjysma e pacientëve të cilët kanë diabetin e tipit 2, kanë nevojë nga trajtimi plotësues me insulinë. Për njerëzit me diabetin e tipit 2, gjithnjë e më e zakonshme është të përdorin kombinim të barnave oral dhe injeksione të insulinës, që ta kontrollojnë glukozën në gjak.

Në dispozicion janë lloje të ndryshme të insulinës. Kërkoni këshilla nga mjeku si funksionon insulina.

Pajisja më e zakonshme për injektim të insulinës është “stilolapsi”, që është shiringë e mbushur me insulinë, i përgatitur për përdorim. Te insulina e përzier dhe insulina me veprim të gjatë, lapsi gjithmonë duhet të shkundet me kujdes derisa të fitohet ngjyrë homogjene e bardhë si qumështi.

Zgjidhni dozë të dëshiruar duke rrotulluar kapakun për dozim. Lani duart para se të bëni injektimin. Përdorni gjilpërë të re për çdo injektim.

Insulina duhet të injektohet në indin dhjamor nënlëkuror dhe jo në muskul. Mund të injektohet në bark, kerllokël dhe prapanicë. Gjithmonë injektohuni në pjesë të ndryshme të trupit tuaj. Këshillohuni me mjekun ose me infermieren.

Insulina mund të injektohet vertikalisht ose me rrudhim të lëkurës. Mjeku juaj do t’ju këshillojë për mënyrën më të përshtatshme.

Mbani stilon tuaj në temperaturë të dhomës. Në stilo insulina mund të ruhet rreth 6 javë. Rezervat e tjera të stilolapsave insulinik apo patronëve mbani në frigorifer (shikoni instruksionet), por jo në ngrirës. Nëse ju duhet të udhëtoni duhet me vete të merrni insulinë, kontaktoni mjekun tuaj.

Injektoni të gjitha dozat të shkruara nga mjeku juaj. Mos anashkaloni asnjë injektim.

Para përdorimit të injeksionit, pikoni dy njësi insulinë, me qëllim që të kontrollohet funksionimi i lapsit dhe gjilpërës.

 

 

Komplikimet e diabetit

 

Shumë glukozë në gjak (hiperglicemia) është e padhimbshme, por shumë e rrezikshme. Me kalimin e kohës mund të shkaktojë dëmtime serioze (komplikime) të syve, nervave, veshkave, zemrës dhe enëve të gjakut.

Komplikimet ndodhin gradualisht. Me rregullimin e diabetit, sa më gjatë kohë të jetë më mirë, gjasat për komplikime janë më të ulëta.

Diabeti i rregulluar mirë, domethënë se niveli i glukozës esëll është nën 5.6 mmol/L dhe nën 7.8 mmol/L 2 orë pas ushqimit. Mjeku juaj gjithashtu rregullisht do të kontrollojë nivelin e HbA1c-së në gjakun tuaj. HbA1c duhet të jetë 7% ose më pak.

 

Sytë dhe nervat

Diabeti mund ta dëmtojë retinën e syrit, dhe zakonisht kjo shfaqet pa paralajmërim, dhe mund të shkaktojë verbim. Bile edhe kur sytë i keni mirë, duhet të shkoni në kontroll çdo vit.

Dëmtimet te nervat mund të shkaktojnë: humbjen e ndjenjave (gicilim), mund të ndjeni dhimbje ose djegie në shputat dhe këmbët tuaja. Nëse posedoni disa nga këto simptoma, ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.

Nëse diabeti nuk është i rregulluar, ndërsa nervat janë të dëmtuar, mund të keni vështirësi të arrini ereksion. Kjo dukuri mund të trajtohet, pra, mos kini frikë të flisni me mjekun tuaj për problemet e juaja seksuale.

 

Veshkat

Nivelet e larta të glukozës në gjak mund të jenë edhe barrë shtesë mbi veshkat e juaja dhe të shkaktojnë dëmtime. Kjo fillon me humbje të proteinave në urinë dhe mund të zbulohet me ekzaminimin e theshtë të urinës.

Nëse keni proteina në urinë, është shumë e rëndësishme të rregullohet niveli i glukozës në gjak sa më mirë dhe të normalizohet tensioni i gjakut.

Mos harroni ta kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut. Tensioni i lartë i gjakut (më shumë se 130/85 mm/Hg) zmadhon gjasat për dëmtimet e veshkave.

 

 

Diabeti dhe enët e gjakut

 

Faktorët e rrezikut

Për shkak se diabeti mund t’i dëmtojë arteriet, mund të shkaktojë dhimbje gjoksi, sulm në zemër, goditje në tru dhe ngushtim të enëve të gjakut, për shembull, në këmbë.

 

Trashësia

Nëse keni diabet dhe jeni me mbipeshë, rreziku për sëmundje kardiovaskulare, ose sulm, rritet në mënyrë dramatike. Duhet të dobësoheni dhe duhet të ndani kohë për aktivitet fizik.

 

Hipertensioni

Tensioni i lartë i gjakut (më shumë se 130/85 mm/Hg) shkakton stres në zemër dhe rrit shanset e sulmit në zemër. Përmbahuni rigorozisht planit të përshkrimit të barnave.

 

Kolesteroli

Nivele të larta të kolesterolit (më lart se 5 mmol/L, LDL më lart se 2.5 mmol/L) duhet patjetër të korrigjohet me ushqim të drejtë, aktivitet fizik, dhe nëse kjo nuk mjafton, me konsumimin e ilaçeve.

 

Trigliceridet

Trigliceridet e larta gjithashtu janë shumë të këqija për enët e gjakut. Niveli i lartë (më shumë se 2.0 mmol/L) duhet të rregullohet me ndalimin e konsumimit të alkoolit dhe ëmbëlsirave.

 

Pirja e duhanit

Pirja e duhanit zmadhon rrezikun nga sëmundjet vaskulare (mos të theksojmë edhe rrezikun nga kanceri). Nëse ndaloni pirjen e duhanit, ju zvogëloni shanset që të merrni sulm në zemër për 50%.

 

Çka mund të bëni: bëni stëvitje dhe hani ushqim të shëndoshë dhe të balancuar

Aktiviteti fizik për çdo ditë zvogëlon glukozën në gjak, tensionin e gjakut, kolesterolin dhe ndihmon në humbjen e peshës.

Çdo ditë ecni së paku gjysmë ore ose merruni me sport 2-3 herë në javë. Mbani mend se puna e përditshme në shtëpi nuk është mjaft, pa marrë parasysh sa e vështirë është.

Për të ruajtur enët e gjakut sa më të shëndetshme, duhet të hani ushqim të shëndoshë dhe rregullisht të merreni me aktivitet fizik. Medikamentet mund të ndihmojnë, por nuk mjaftojnë.

 

 

Diabeti dhe shputat

 

Shputat e juaja kanë nevojë për kujdes

Diabeti mund të shkaktojë problem në shputa. Ngushtimi i enëve të gjakut, si edhe dëmtimi i nervave, luajnë rol në shfaqjen e varrëve ose infeksionit në shputë.

Nervat e dëmtuar i bëjnë shputat më pak të ndjeshme. Nëse nuk ndjeni dhimbje, jo gjithmonë mund të vëreni një çarje të vogël, e cila mund të çojë deri në infeksion.

Keqësohet qarkullimi i gjakut. Për atë shkak, infeksionet dhe plagët nuk shërohen lehtë. Atëherë është i nevojshëm kujdesi i veçantë i shputave, për të parandaluar amputimin.

 

Çka ju mund të bëni

Asnjëherë mos shëtitni me shputa të zbathura. Do të jetë e arsyeshme, nëse vishni çorape pambuku dhe këpucë të rehatshme që ju janë të sakta, nëse është e mundshme, me gjalma. Këpucët me takë të lartë mund të jenë katastrofë.

Lani shputat çdo ditë në ujë të vakët, thani tërësisht, posaçërisht në mes të gishtërinjve. Mos shfrytëzoni legen për shputat. Mos i prisni thonjtë tuaj shumë shkurt dhe pritini drejt.

Temperaturën e ujit kontrollojeni me bërrylin , para se të lani shputat. Mos përdorni termoforë kur i keni shputat e ftohta. Nëse ndjenja në shputa është e zvogëluar, atëherë mund të digjeni më lehtë.

Çdo ditë dhe me kujdes kontrolloni shputat nëse kanë varrë, çarje, skuqje, djegie dhe fryrje (përdorni pasqyrë, për të parë anën e poshtme të shputës, ose thirrni dikë për ndihmë).

Mos u përpiqni të trajtoni varrët dhe çarjet vetë. Mjeku juaj duhet të ketë kujdes për çdo plagë. Për shputën e pacientëve duhet të kujdeset njeri që bën pedikyr për njerëzit me diabet.

Mos harroni se ju jeni në këmbë më tepër se gjysma e ditës. Shputat e juaja meritojnë vëmendje të mjaftueshme.

 

Kuptimi i numrave për glukozën në gjak

 

Skemat e glukozës në gjak ju ndihmojnë edhe juve edhe mjekut tuaj të identifikoni kohën gjatë ditës kur niveli i glukozës është i lartë, ose i ulët. Këto informata ju ndihmojnë juve dhe ekipit tuaj mjekësor për sjelljen e vendimeve të kuptueshme për ndryshimet në lidhje me kujdesin për diabetin.

Nëse ju dini si ndikojnë ushqimi i ndryshëm dhe vëllimi i ngrënies në glukozën në gjak, kjo do të mundësojë që të hani një ushqim të shumëllojshëm. Përdorimi i mjeteve të zakonshme të cilët ndihmojnë për të njohur skemat e glukozës, i jep liri dhe fleksibilitet planit tuaj për ushqim.

Testimi i glukozës në gjak para dhe pas aktivitetit fizik, tregon ndikimin e aktivitetit fizik mbi kontrollin e glukozës. Ky lloj i fidbekut pozitiv, mund t’ju ndihmojë të mbani një program të aktiviteteve të rregullta fizike. Dhe do të ndjeheni më mirë.

Menaxhimi i diabetit është punë ekipore. Identifikimi i skemave me mjete të thjeshta, do t’ju ndihmojë juve dhe ekipit mjekësor të punoni së bashku për kontroll sa më të mirë të diabetit.

Ditët e sëmundjes dhe periudhat me stres mund të kenë ndikim shumë të madh mbi nivelin e glukozës. Testimi i rregullt gjatë ditëve kur jeni të sëmurë dhe me stres, ju mundëson të kuptoni më mirë se si këto gjendje mund të ndikojnë në glukozën në gjakun tuaj.

Identifikimi dhe kuptimi i skemave të glukozës mundëson që mjeku juaj të sjellë vendime më të informuara në lidhje me veprimin e medikamenteve dhe nevojën për ndryshime në trajtim.

Mbikqyrja e skemave të glukozës në gjakun tuaj do t’ju ndihmojnë shpejt të kuptoni se jeni në caqet e parashtruara dhe si funksionojnë ndryshimet në planin tuaj për trajtimin e diabetit. Kjo do të ndihmojë të ndërmerrni masa kur është e nevojshme. Mirëmbajtja e kontrollit të mirë mbi diabetin do t’ju mundësojë stil të jetesës më fleksibile dhe do t’ju ndihmojë të ndjeheni më mirë.

 

 

Diabeti dhe ramazani

 

Muslimanët me diabet duhet të jenë më të vëmendshëm gjatë periudhës së Ramazanit për ta mbajtur nivelin e mirë të glukozës në gjak dhe t’i shmangen hipoglicemisë gjatë ditës dhe hiperglicemisë gjatë natës. Njerëzit me diabet të cilët duan të agjërojnë, duhet të konsultohen me mjekun para se të fillojnë me agjërim.

Gjatë agjërimit, rreziku për zvogëlimin e nivelit të glukozës në gjak nën kufijtë normal, është  më i lartë se zakonisht. Nëse paraqiten simptoma të hipoglicemisë, mendoni mirë për ndërprerjen e agjërimit, të pini lëng pemësh ose të hani një lugë sheqer.

Nëse e ndërpreni agjërimin, kontrolloni sheqerin në gjak urgjentisht. Nëse ndjeheni shumë keq ose i lodhur, njoftoni mjekun tuaj. Ju mund të zvogëloni rrezikun për hipoglicemi gjatë ditës, në qoftë se:

  • Nuk anashkaloni ushqimin
  • Hani syfyr para agimit
  • Do të hani ushqim të balancuar
  • Do të pini shumë ujë
  • Për barna të caktuara, do të konsultoheni me mjekun tuaj
  • Do të përputhni planin tuaj të ushqimit me mjekun tuaj

Pas Iftarit, rreziku për zmadhimin e glukozës në gjak mbi kufijtë normal, është më i madh. Që të mos ndodhë kjo, hani ushqim të shëndetshëm, me përmbajtje të yndyrnave dhe karbohidrateve të balancuar. Filloni me Iftarin me ushqimin e planifikuar nga dietetisti dhe merrni medikamente të rekomanduar nga mjeku.

Gjatë Ramazanit, është e nevojshme mbikqyrja e rregullt e glukozës. Rekomandohet kontroll i nivelit herët në mëngjes para agjërimit, pas Iftarit dhe syfyrit. Nëse niveli i glukozës herët në mëngjes është nën vlerat e parapara, duhet të mendoni për ndërprerjen e agjërimit.

Muslimanët me diabet nga tipi 2, të cilët nuk përdorin insulinë, rëndom mund të agjërojnë gjatë Ramazanit pa problem, si dhe ata që përdorin vetëm njëherë insulinë mund të agjërojnë pa probleme të mëdha. Preferohet të konsultoheni me mjekun tuaj për llojin adekuat të insulinës që do ta përdorni.

Gjatë agjërimit është shumë e rëndësishme, të hetoni simptomat e hiperglicemisë dhe hipoglicemisë, të dini ato nëse ndodhin si duhet të merreni me to, të dini si të matni nivelin e glukozës, të pini shumë ujë dhe të hani ushqim të balancuar. Është me rëndësi të njihen me kohë simptomat e ketoacidozës, komplikim me rrezik për jetë si rezultat i pamjaftueshmërisë së indulinës.

Rreptësisht nuk këshillohet agjërimi për njerëzit e caktuar me diabet që:

  • Kanë diabet të tipit 2 dhe kanë nevojë të marrin injeksione insulinike më shumë se një
  • Kanë diabet të tipit 1
  • Gratë shtatzëna me diabet
  • Janë të sëmurë, të hospitalizuar ose përdorin medikamente kardiologjike

Mbani mend: Kurani i shenjtë ofron  mundësi që ju mund t’i diskutoni me Imamin tuaj.

 

Print Friendly, PDF & Email