beqaj-diabeti

NË FOTO: (Majtas) Ministri Ilir Beqaj në një konferencë për ‘shëndetësinë falas’, (Djathtas) Pacientë që vuajnë nga diabeti përballen me orë të tëra në radhë për të dalë në KEMP

Shoqata që përfaqëson të sëmurët me diabet ka ngritur zërin në lidhje me abuzimet me të cilat po përballet kjo kategori pacientësh.

Të sëmurët kanë ngritur gishtin mbi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas tyre, vendimet burojkratike të institucioneve shëndetësore, po i detyrojnë të sorrollaten dhe po u shkatërrojnë shëndetin.

Po cilat janë konkretisht ankesat e tyre?

– Qeveria po kufizon përdorimin e insulinës, medikamenti kryesor me të cilin kurohen pacientët që vuajnë nga diabeti në shkallë të avancuar;

– Mjeku diabetolog i rrethit nuk mund të japë më shumë se 2 pena insuline Lantus;

– Për të marrë rimbursimin për 3 pena të insulinës, është e detyrueshme që pacientët të vijnë deri në Tiranë, pasi vendimi i fundit i FSKDSH ua ka hequr mjekëve të rretheve një kompetencë të tillë;

– Ardhja e vazhdueshme në Tiranë për marrjen e rimbursimit sjell stres dhe lodhje që ndikojnë në shëndetin e pacientëve, pa llogaritur shpenzimet ekonomike dhe humbjen e ditëve të punës apo shkollës;

– Dalja në KEMP çdo vit konsiderohet si një procedurë e panevojshme, duke llogaritur se diabeti është një sëmundje që të shoqëron gjithë jetën.

Sipas pacientëve, gjithë këto sorrollatje burokratike ndikojnë drejtpërdrejt në një cilësi të keqe jete dhe në rritjen e invaliditetit në punë..

Pavarësisht fatkeqësisë së sëmundjes, ata thonë se mund të jetojnë si gjithë të tjerët nëse shteti do të bënte vetëm disa rregullime të vogla:

  • Të bëhet rimbursimi i fishave për matjen e nivelit të sheqerit (glicemisë) dhe ageve të aparateve matës (lancetave) dhe ageve për injeksionin e insulinës, të cilat janë të domosdoshme përditë po aq sa edhe insulina që rimbursohet.
  • Kryerjen e analizës të HbA1c në të gjithë Shqipërinë ose të paktën në spitalet rajonale.
  • Rishikimin dhe shkurtimin e proçedurave për marrjen e insulinës e ndryshimin e dozave të saj.
  • Dalja në KEMP për personat me diabet të tipit 1 të kryhet së shumti një herë në tre vjet dhe jo çdo vit.

Nga sa lexohet në kërkesat e të sëmurëve që vuajnë nga diabeti, problemi nuk qenka tek ana financiare, por vetëm te zbarritjet burokratike. /HashtagAL

Print Friendly, PDF & Email