Buzëqeshje që të ndryshojnë ditën

Ka edhe më keq.
Kushedi se sa herë i kemi dëgjuar këto fjalë. Dhe kushedi se sa herë jemi nxehur me këto fjalë. Sepse shumë njerëz nuk arrijnë të shohin përtej asaj fasadës së “normalitetit” të diabetit.
Por e dini çfarë ju them në këto momente?
Që ka vërtet keq e mos më keq.
Do t’ju tregoj një histori: Dje në darkë isha në punë, te kasa. Shoh që hynë dy persona, ku njëra ishte një gocë me kokën e rruar. Gjëja e parë që mendova ishte se bënte kemioterapi. Por, duke parë buzëqeshjen në fytyrën e saj mendova me vete: nuk do ishte kaq e qetë po të bënte vërtet kemioterapi. Ndoshta e ka rruar kokën për modë. Pastaj, kur afrohen drejt meje në kasë dalloj një fasho që kishte në krahë, si ajo që mbajnë shumë diabetik që kanë pompën. Dhe krejt natyrshëm e pyes nëse ishte vërtet fashë për pompën apo jo. Ajo, me shumë qetësi, më thotë se është një makineri e vogël për kemioterapinë. Atëherë dhe unë i them: edhe unë kam një makineri të vogël për insulinën. Më buzëqesh dhe më thotë: të gjithë jemi të varur nga ndonjë makineri. Dhe është e vërtetë. I urova ditën e mirë dhe vazhdova punët e mia. Gjatë orarit të pushimit të drekës së bashku me kolegët e mi ulemi në një tavolinë afër tyre. Po flisja për konferencën që do të bëjmë në nëntor për diabetin dhe ndihesha e vëzhguar. Më pas, kur ishin duke ikur, vajza më përshëndet dhe buzëqeshja e saj ishte shumë inkurajuese. Sikur donte të thoshte: mos u dorëzo, duhet të ecim përpara. Jeta është e vështirë por ne jemi më fortë se ajo. Nuk di ç’të them. Përveç se buzëqeshja e saj më mbeti në mendje. Sepse tregonte luftën e saj për të jetuar pavarësisht të gjithave. Për këtë arsye them se ka edhe më keq. Jo se jeta me diabet është fushë me lule. Përkundrazi. Jua thotë dikush që të hënën e kaluar kishte një glicemi 465 që nuk donte të zbriste. E njëjta që mbrëmë në darkë, pas një dite shumë të lodhshme, në vend që të flinte, duhet të qëndronte zgjuar sepse ajo 80-a nuk donte të ngrihej. Por gjithsesi, sado që isha e lodhur e sfilitur, e di që mund të më shkonte edhe më keq. Duket qesharake, e di. Por kështu është. Duket sikur vajza me atë buzëqeshjen e saj më lehtësoi deri diku në mendime. Dhe e dini çfarë ju them? Që ndoshta duhet të dhurojmë më shumë buzëqeshje, sepse mund ti ndryshojmë vërtet ditën njerëzve. Të paktën mua është e sigurt që më ndryshoi dita.
Fal dikujt që, pa e kuptuar, bëri shumë për mua….

(shkruar nga Klau Kostaj)

Print Friendly, PDF & Email