Diabeti, i lidhur ngushtë me “Kapitalizmin”

Asim Toro, kreu i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë

Në Shqipëri nuk po punohet për këtë kategori njerëzish që vuajnë me kauzën diabetike përditë. Shumë vuajtje ecejake, apo pritje të ndonjë ndryshimi përmirësues, duke paguar ngritje të kapitalit dhe të çmimeve, të pasojave dëmtuese që vijnë si pasojë nga mos vëzhgimi i krimbit diabetik, por vetëm po flitet dhe premtohet.diabet

Në shtetet fqinje si Maqedoni, Greqi, Itali dhe Serbi, diabeti ka zgjidhje dhe nuk është bezdisje apo kapitalizëm për ata që e kanë dhe jetojnë bashkë me diabetin në Shqipëri.

Ajo nis me përballjen e parë me radhën e tejzgjatur që duhet të presësh tek mjeku endokrinolog për t’u takuar 5-10 min. Se faktikisht, doktori me pagën e një pastruesi të shtëpisë të ndonjë të pasurit, ka për të bërë dhe 40 ose 45 konsulta në ditë. Për faktin se endokrinolog për fëmijë nëpër qarqe nuk ka.

Sapo merr vesh që fëmija ka diabet, përballesh me infermieren që të tregon se duhet të bësh analizën dhe ta dërgosh në laborator. Më pas merr vesh që nuk ka fisha për të mësuar sa e ka sheqerin në gjak. Një sorollatje e tepërt në spital. Më pas të tregojnë se mund ta sigurosh vetë në farmaci, dhe detyrimisht shkon dhe përballesh me abuzimin që ndodh në Shqipëri për të blerë aparatin 1.000 lekë ose 1.500 lekë veç fishat që kushtojnë 50-60 lekë/fija, plus aget e insulinave 20–30 lekë/copa. Ky abuzim nis nga operimi i distributorëve të fishave që shesin aparatet nëpërmjet farmacive, duke qenë me rregull botëror që aparatet të dhurohen nga kompanitë duke blerë një sasi të konsiderueshme fishash.

Duke nisur kapitalizmin dhe jo “zengjini”diabetik, siç mendohej para viteve 1990. Mos harrojmë se sa raste kanë përfunduar dhe me humbje të të afërmit nga mos pasja mundësi e institucionit spitalor për arritjen e një matje glikemie, dhe si pasojë i është vendosur serum me glukozë, duke e lënë çështjen në heshtje.

Në shtrimin e parë vëren që fëmija merr medikamentin insulinë nga e njëjta penë duke ndryshuar agen. Por mund të dëgjosh që të ketë dhe mungesë të ageve ose insulinës, duke ta ndryshuar pa të keq me insulinë tjetër, sepse nuk kanë sigurim të medikamentit. Dhe sheqeri mos të ketë përmirësime afër normales. Diabeti fillon të të gërryejë si krimb ngadalë ngadalë, duke u kthyer në bezdisje,vuajtje dhe shpenzime ekonomike për këdo.

Largohesh nga spitali pa një këshillim psikologjik për familjarin që mendon se fëmijës i ka ardhur fundi, pa një paket të kompletuar për mbarëvajtjen shëndetësore.

Në familje sapo ka filluar ndryshimi i situatës së zakonshme me mos dijen se si të veprosh dhe si do të vazhdojë jetën fëmija me këtë fat. Paraqitesh tek mjeku i familjes, ku i tregon që fëmija ka diabet dhe kërkon që insulinat të të rimbursohen, pavarësisht se sa efektive është ajo për fëmijën që ka diabet. Vështirësitë shtohen, mjeku fillon hapjen e kartelës sipas të dhënave që kanë marrë nga mjeku endokrinolog i QSUT. Merr rekomandimin nga mjeku i familjes dhe paraqitesh tek mjeku i qarkut ose i rrethit, nëse ka një të tillë, për të marrë insulinën me rimbursim nga Drejtoria e Sigurimit Shëndetësor të rreth… kjo gjë përsëritet çdo 6-muaj. Gjë e cila ka vend për t’u ndrequr lehtësisht. Qarku i Fierit ka barriera të ndryshme për insulinat dhe për anëtarët që na komunikojnë këto probleme.

Një nga prindërit që ka pagën më të vogël, detyrimisht detyrohet të braktisë punën për të pasur në vëmendje shëndetin e fëmijës me diabet, si gjithmonë mamaja. Ndërkohë nis për të marrë ndihmë sociale për këtë fëmijë, të cilat janë të pa mjaftueshme për sëmundjen e shekullit në Shqipëri… duke paraqitur çdo vit dokumente pa vlerë për të marrë atë çka të takon.

-Pa harruar që të mbash fëmijën në radhët e gjata me moshat e treta së bashku, ose duke dëgjuar vuajtjet e tyre nga më të ndryshme, ose duke parë arrogancën e pjesëmarrësve.

– Pa harruar që për studentët është një pengesë paraqitja 1 herë në vit, aq më tepër ata që studiojnë jashtë Shqipërisë.

-Pa harruar që shumë herë këto detyrime jepen me vonesë në kohë, nga mos mirë menaxhimi i fondeve për këta persona. Duke ju kujtuar dhe humbjen e marrjes së ndihmës sociale në qoftë se nuk paraqitjesh në kohë për të dorëzuar dokumentet. Të mendosh që ai muaj sa i vështirë ka qenë për ta kaluar. Kurse ndihmën si kujdestare për një fëmijë që kërkon përkujdesje çdo moment, ky prind nuk ka për ta fituar asnjë herë, për faktin e shumë faktorëve negative të sistemit të ndërtuar ndër vite. Këto problematika po i bëjmë me dije që me bashkëpunime të lehtësohen si problem apo vështirësi.

Familja pas shumë problemesh stepet, dhe shëndeti i fëmijës ka filluar të dëmtohet brenda një kohe shumë të shkurtër, dhe, në qoftë se kanë fatin të takohen me mjekë që kanë parësorë shëndetin e pacientit dhe jo barrierat e shtetit për përkufizim të ilaçeve sa më efektive për të sëmurin që të konsultohen që diçka nis të ndryshojë me pak vështirësi.

Kauzë quhet se diabeti prek shumë organe kryesore, duke shtuar numrin e të verbërve, të personave me gjymtyrë të prerë, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundja e veshkave dhe të tjera, duke shtuar kostot kapitale të shoqërisë tonë dhe të shtetit.

Arrestime apo debate në institucione nga më të ndryshmet ka pasur dhe vazhdojnë për abuzimet në emër të komunitetit tonë, por bashkëpunim për të na lehtësuar jetesën në Shqipëri me vrasësin “diabetikë” ende neglizhohet, duke sjellë në vëmendje listën e dytë të rimbursimeve në vitin 2015, ku do të rimbursoheshin pajisjet mjekësore.

Ky komunitet shtohet me nga 3 pacientë, duke filluar nga mosha 0 vjeç, në muaj, të rinj të diagnostikuar me diabet.

Fëmija shkon në kopsht ose në shkollë, dhe edukatorët ose mësuesit me vështirësi të madhe mësohen nga vetë prindi se si të veprojnë në situata të ndryshme me fëmijën që ka diabet. Ose alarmohen nga mos informimi i nxjerrjes nga gjendja të studentit.

Fëmija talent ndalet të shkojë në stërvitje për vet faktin e mos sigurimit të matjeve të sheqerit në gjak. Studenti i ekselencës ndalet të vazhdojë studimet larg familjes ose qytetit për faktin se s’mund të sigurojë matjet e sheqerit para gjumit, ose në vendndodhjen e momentit, se nuk siguron dot një matje që kushton 50 lekë.

Të gjitha këto janë një kapital që vazhdon të shkojë në rritje për të gjithë shoqërinë pa përjashtim. Deri në këtë moment, këtij prindi kujdestar nuk i sigurohet asistenca e kujdestarisë, por kapitalizmin ka filluar ta ndiejnë.

Përfundojnë arsimin e lartë dhe nis përballja për punësimin e tyre. Ku shumë shpesh hasen me këndvështrime nga punëmarrës, ku del hapur injoranca që kanë për mos dijet e çështjes apo kauzës së diabetit. Ose parësorja që, me ligj na takon punësimi për arsyen e një problemi të lidhur me shëndetin, dhe shteti po na shmang duke na provokuar me rrugë nga më të ndryshmet për punësim…

Shumë shpesh nuk tregojmë që kemi një problem dhe fillojnë dhe të punojmë me orare të tejzgjatura, në qoftë se kemi arritur të sigurojnë një vend pune, dhe mos prisni të tregojmë, sepse nuk kemi për ta bërë, për faktin se nuk na siguron kush një punë më të mirë.

Po të studiosh dhe të vëresh situatat të ndryshme si:

  • Mos pasja mundësi të sigurimit të ardhjes për konsultim të shëndetit çdo tre muaj në Tiranë. (Për të bërë analizat dhe konsultat sipas kritereve dhe këshillave sipas mjekut endokrinolog).
  • Mos sigurimi i lejes nga puna për të vizituar fëmijën në Tiranë. (E shoqëruar me largim nga puna n.q.s ndodh të kërkosh leje çdo 3 muaj me të paktën dy ditë pune të javës)
  • Familjarë që kanë nga dy fëmijë me diabet. (Ndihma sociale që jepet për këta fëmijë nuk është as sa 1/3 e asaj që shpenzohet).
  • Personat me diabet që jetojnë në zonat rurale, sa të vështirë mund ta kenë, sa unë nuk mund ta përshkruaj dot, për faktin se nuk e kam parë realitetin nga afër, por disa paguajnë dhe 50% të insulinave që janë të rimbursueshme 100%.
  • Studentë që paguajnë tarifën e shkollës së plotë nga fakti se sekretaret nuk tregojnë që s’duhet të paguajnë.
  • Ata pak persona të punësuar në punë të papërshtatshme me problemin e diabetit, e të tjera pa fund që mund të dëgjosh dhe t’i shkruash në shumë faqe gazetash.

Po kjo ndodh ngaqë diabeti është problem vetëm në të jetuarin në vendin tonë jo social si Shqipëria, ku institucionet nuk po marrin asgjë parasysh. Kërkesat apo mungesat e medikamenteve jetësore, duke ngritur ura bashkëpunimi për këtë pjesë të tablosë që përfshin sëmundje nga më të ndryshme! Ose duke ndalur ftesat nëpër tavolina të servilave, të cilët duke mbajtur një uniformë të përfaqësisë dhe të ndonjë institucioni, duke miratuar ose buzëqeshur me fatkeqësinë kapitaliste që e vuajmë vetëm ne drejtpërsëdrejti.

Ne si Shoqatë pacientësh shumë shpejt do të dorëzojmë një kopje të një Peticioni prej 2500 firma për kërkesat tona, me ose pa përgjigje dhe pa zgjidhje. Kjo diferencë shumë shpejt do të na tregojë që do të kemi nevojë për më shumë medikamente të tjera ekstra, si pasojë e pamundësisë së plotësimit të kërkesave tona.

Diabeti nuk është çështjet që s’ka zgjidhje ose mirëkuptim, siç janë çështjet pa zgjidhje botërore! Por kjo kauzë kapitaliste ngarkohet për këdo në tatim taksat tona, që detyrimisht i paguajmë të gjithë, kush e kush me mund për jetë, e kush duke vazhduar duke punuar me shpresën se do të ketë do një lehtësim nga kjo epidemi…

Por shteti mund të arrijë një ulje të kapitalit duke realizuar rimbursim të fishave me një çmim prej 15 lekë/matje të nivelit të sheqerit në gjak për çdo person që ka diabet. Duke parë që në Shqipëri ka 4 ose 5 distributorë që operojnë në treg me këtë produkt, shteti mund t’i lehtësojë në TVSh me moton“lehtësim me kauzën diabetike” për komunitetin me diabet kostot e familjarëve dhe shoqërisë, duke ulur dëmtimet tek personat që bashkëjetojnë me Kapitalin Diabetik.

Ne kërkojmë çfarë na takon, duke e mbyllur shkrimin tim për mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve me diabet në Shqipëri, për realizim të:

  • Lehtësimit, duke kërkuar shtesën në ligjin për rimbursim të medikamenteve, si paketë e veçantë, për të realizuar rimbursim total të analizës së Hemoglobinës së glukozuar në gjithë territorin e Shqipërisë, duke siguruar dhe reagentët të paktën në spitalet rajonale, rimbursim të ageve, lancetave, fishave për fëmijët dhe të rinj me diabet, por dhe me tej, si mjet ndihmës i mjekimit për diabetin (Në ditë ne duhet të përdorim 4 fisha {1esëll dhe nga 1 pas çdo vakti}, ne kërkojmë që të paktën të na rimbursohen 2 fisha nga shteti).
  • Lehtësim të procedurave të marrjes të insulinave analoge, dhe mos të ketë pengesa për ta siguruar insulinën analoge dhe ndryshim të dozave të saj.
  • Kërkojmë gjithashtu rishikim të procedurave të përsëritura, për përgatitjen e dokumenteve të daljes në kemp çdo vit, si dhe ndihmës sociale, që i jepet personave me diabet, të mundësohen çdo 3-vjet dhe të mos kërkohen çdo 3-muaj dokumente shkollore për sigurim të kempit, apo të vendosin mjekët e komisionit të ndërpritet, për faktin se ka analizat normale.
  • Ne kërkojmë të rishikohet mundësia e rimbursimit të pompave të insulinës për fëmijët dhe të rinjtë që kanë një diabet të çekuilibruar dhe komplikacione të shkaktuar nga diabeti, siç ndodh dhe në vendet tona fqinje.

Për të arritur zgjidhjen e këtyre problemeve të parashtruara më sipër, propozojmë tryeza të rrumbullakëta me Ministrinë e Shëndetësisë, Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, organet kopetente shtetërore apo aktorë të tjerë që mund të shërbejnë për të arritur këto objektiva.

Të rishikohen dhe të përmirësohen strukturat në lehtësim të punësimit dhe arsimin për personat me diabet, duke i dhënë prioritet kësaj kategorie.

Diabeti të bëhet çështje dite, sa të jepet një drejtim, siç është karta diabetike që kërkojmë të realizohet në bashkëpunim me shtetin, spitalet private, klinikat private, kompanitë specifike, supermarkete të ndryshme, duke ofruar skonto për produktet ushqimore specifike për komunitetin me diabet, si dhe shërbime të tjera që sjellin lehtësim të jetës tonë.

Kërkojmë dhe kemi të nevojshme rritjen e kapacitetit ndërgjegjësues për edukim.

Print Friendly, PDF & Email