29 vite me insulinë nga diabeti që i rrezikon shikimin, kura e shtrenjtë

Klement Kanaj është nga qyteti i Vlorës. Ai tregon për “Shekulli”- n se vuan nga diabeti prej 29 vitesh, prandaj për shkak të kësaj sëmundjeje ka edhe disa vështirësi të tjera, sidomos vështirësinë e trajtimit të dëmtimeve që po i shkakton sëmundja në sy. Ai thotë se ka pasur raste kur është ndjerë i diskriminuar për vetë sëmundjen e tij, ndërsa thotë se frika më e madhe qëndron te fëmijët. Klementi, baba i dy fëmijëve, ka qenë i varur nga insulina qysh kur ishte 9 vjeç. Ai vuan nga diabeti “Tip-1” prej rreth 29 vitesh. Që kur ishte fëmijë, sistemi i tij imun nisi t’ia sulmonte qelizat beta të pankreasit, qeliza të cilat janë përgjegjëse për krijimin e insulinës, hormonit që rregullon nivelin e glukozës në gjak. Prindërit dhe ai, e kuptuan që ishin përballë kësaj sëmundjeje në vitin 1986, ndërsa sot ai gjendet përballë rrezikut për të qenë i verbër, për shkak se sëmundja i ka dëmtuar kapilarët e syve. Klementin e takuam pikërisht në një konferencë të organizuar për këtë qëllim, për dëmtimet e syve nga diabeti. Ai na tregoi se kontakti i tij i parë me spitalin ka qenë në moshën 6-vjeçare, kur pas një aksidenti humbi dy gishta të dorës së majtë. “Kam pasur një aksident me një kapsollë të një detonatori. Ajo ka qenë hera ime e parë që shkoja totalisht i tronditur në spital. Nuk e dija se ç’ishte. Isha vetëm 6 vjeç. Pasi e kisha gjetur, duke i rënë me një gur, me atë kuriozitetin fëmijëror për të kuptuar se çfarë ishte, papritur ajo shpërthen dhe…”, tregon pa e mbaruar fjalinë Klementi, dhe rrjedhshëm sytë na shkuan në dorën e tij, të cilën e mbante më fshehur. Kjo ishte hera e parë, ndërkohë hera e dytë ishte akoma më tronditëse. “Tre vite më vonë, ironia e fatit nuk më la, te mua s’u kënaq me aq, por më shfaqi edhe diabetin. Pas shqetësimesh të ndryshme, mjekët më konstatuan se kisha këtë sëmundje. Kjo ishte shkatërrimtare, sepse nuk jetojmë në Australi këtu ore mik”, thotë Klementi. “Këtu diabeti edhe tani shihet si dele e zezë! Imagjino për kohën atëherë sesi ka qenë!”. Më pas 38-vjeçari na thotë sesi e përjetoi këtë gjë në fëmijëri. “Normalisht si fëmijë nuk e kuptoja fiks se çfarë ishte diabeti, por këtë e ndjeja kur luaja me shoqërinë, e shihja si një kufizues të tmerrshëm. Sëmundjen e kuptoja nga këshillat që më jepnin prindërit, sidomos në të ushqyer, kur më ndalonin të haja frutat që më pëlqenin aq shumë, apo nga këshillimet që kryenim me mjekun”, tregon Klementi, i cili na rrëfen se ëndrra e tij ishte që të bëhej mjek, por që për shkaqe të ndryshme nuk arriti ta realizonte dhe u bë mësues i ciklit fillor. “Doja shumë të bëhesha mjek, por nuk munda dot dhe u bëra mësues”, thotë Klementi, i cili aktualisht është i papunë.

Rreziku për të mbetur i verbër, por frika qëndron te fëmijët

Në një intervistë për “Shekulli”-n, endokrinologia Luftime Bruka, teksa rendiste disa prej ndërlikimeve që sillte diabeti përmendte edhe retinopatinë, si një ndër ndërlikimet më serioze. Këtë ndërlikim ka ndeshur Klementi, i cili na thotë se retinopatia për herë të parë ia preu shikimin rreth 8 vite më parë kur dhe iu shfaqën shqetësimet fillestare me sytë. “Filloi gjithçka si një shqetësim i vogël, si të thuash si disa pika që të shfaqeshin përpara shikimit e shoqëruar me një mungesë qartësie, por që më pas largohej. Vajta dhe bëra disa ekzaminime okulistike dhe më thanë se, në sy më kishin dalë disa kapilarë të rinj gjaku, kjo për faktin se diabeti kishte dëmtuar kapilarët e tjerë, të cilët pasi nuk ishin ushqyer me glukozë kishin vdekur dhe ndaj trupi për të ruajtur retinën e syrit kishte krijuar kapilarë të rinj, kjo shkaktonte përkeqësimin e të parit dhe nëse nuk trajtohej mirë do mund të sillte edhe verbimin”, tregon Klementi, i cili thotë se nuk e kuptoi realisht se çfarë po i ndodhte, derisa përkeqësimi arriti fazë më të rënduar. “Asokohe ngaqë shikimin nuk është se e kisha shumë problem, nuk e mendova kështu. Gjendja ndryshoi dhe mu rëndua dy vite më parë. Një ditë befas m’u shfaqën në shikim shumë pika, si të thuash një kostelacion pikash, që pasi më qëndroi për disa momente mu largua. Por dy-tre ditë më vonë mu shfaq sërish dhe nuk mu largua më. Syri i majtë mu dëmtua seriozisht, probleme kam dhe me të djathtin, por me të majtin nuk shikoj fare qartë”, thotë 38-vjeçari, i cili ndërkohë që fliste duke zënë me dorë syrin e djathtë mundohet të lexojë një targë makine, që gjendet rreth 3 metra larg vendit ku po qëndronim, por ishte e kotë, gjithçka i dukej e turbullt aq sa nuk mundte të kuptonte as numrat e targës, lëre pastaj shkronjat e saj. “Këto dëmtimet e diabetit në sy shkaktojnë çarjen e kapilarëve dhe derdhjen e gjakut, është njësoj sikur të kesh një shishe uji transparente dhe përmes mund të shikosh se uji s’të pengon, por nëse i hedhim kësaj shisheje bojë, atëherë nuk sheh më. E njëjta gjë ndodh edhe me hemorragjinë që shkakton diabeti në sy”, shpjegon Klementi. Rreziku për të ngelur i verbër është i madh për të, por frika më e madhe nuk është më shumë te shikimi sesa te fëmijët e tij, të cilëve nga frika se mos do të mund ta kenë trashëguar diabetin nuk u ka bërë asnjë analizë. “Nuk u kam bërë asnjë analizë. Kam shumë frikë, më zë paniku sa herë që e mendoj. Pothuajse përditë jetoj me atë presionin shtypës të frikës se mos njërit nga fëmijët mund të mi shfaqen shenjat e së njëjtës sëmundje. Frika se mund të përjetojë edhe fëmija im këtë jetë timen…”.

Trajtimi i shtrenjtë i syrit diabetik

Klementi tregon se pasi iu rëndua ndjeshëm shikimi, djali i vëllait të tij i mundësoi trajtimin fillestar, por që trajtimi ishte përbrenda një terapie konservative, që do të thoshte se ajo vetëm e frenonte përkeqësimin. “Ishte një trajtim që ma mundësuan familjarët, por që realisht kushtonte shumë dhe ndaj s’munda ta ndjek për shumë kohë. Nga një anë ishte një injeksion në sy. Mjekimi me amastinë, e cila frenonte daljen e neovaskularizimeve të reja. Ky injeksion bëhej çdo muaj dhe kushtonte 15000 lekë, seancat parashikohej të vazhdonin pas tre muajsh rresht, të reduktoheshin më pas në një herë në tre muaj. Nga ana tjetër ishte trajtimi me lazer. Terapia me lazer kryhej gjithashtu njëherë në muaj. Gjatë një seance bëheshin 250 goditje dhe çdo seancë kushtonte rreth 10000 lekë, normalisht të gjitha seancat vazhdonin derisa të stabilizohej shikimi. Tanimë ndjehem në mëshirë të fatit, i kapluar nga fataliteti dhe i pres të gjitha gjërat që bëhen në këtë drejtim me shumë pesimizëm”.

Ndjesia e Diskriminimit

“Për mua diabeti të ndrydh! Të bën të ndihesh si i frustruar shpesh edhe i gjykuar”, kështu thotë Klementi, teksa e pyesim sesi do ta përshkruante ndjesinë e të jetuarit me diabet. Ai na tregon se në disa raste ka ndjerë edhe ndjesinë e diskriminimit dhe e gjitha kjo në mjedise pune, por përtej kësaj nga grupi shoqëror nuk ka marrë mbështetjen e duhur. “Më parë punoja operator në një ‘call-center’ atje në Vlorë dhe mendova për të mirën time që t’i tregoja përgjegjëses që vuaja nga diabeti. Me idenë se ku i dihej në një moment të keq mund të mos ndihesha mirë dhe për t’i paraprirë diçkaje të paparashikuar që mund të ndodhte… kur ia thashë më pyeti: ‘Diabet?’ Po i thashë, pse ka ndonjë problem? Dhe ajo m’u përgjigj ‘nuk të mbajmë dot’, tha ‘na vjen keq, jo se po të largojmë nga puna por…’, duke i thënë se në këtë mënyrë, po fjalët ishin të kota sepse realisht po më largonin dhe po ndihesha i diskriminuar, pasi po përdorej sëmundja ime si justifikim. Ajo mu përgjigj se: ‘Gjoja kishin hallin se mos mua më binin të fikët, pasi kishin pasur edhe një rast në Tiranë dhe…’. Budallëlliqe të kësaj natyre nuk kisha dëgjuar ndonjëherë a thua se aty po bënim punë fizike. Diçka e pakuptimtë që vetëm ata mundnin ta arsyetonin. Këmbëngula duke i thënë se kisha më shumë se 10 vite që punoja në arsim, mësues në një shkollë në fshat të Vlorës dhe nuk më kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë, por…”, tregon Klement Kanaj përjetimin e tij, ndërsa thotë se kur këtë gjë ia kishte treguar edhe shoqërisë i kishin thënë se pati bërë gabim, që e vuri në dijeni përgjegjësen për sëmundjen, a thua se diabeti është një sëmundje ngjitëse, ose një rrezik për ambientin përreth.

Diabeti, sëmundje me kosto të lartë

Duke folur për përjetimin e tij në tërësi Klement Kanaj tregon se sëmundja e tij ka një kosto të lartë. “Diabeti ka kosto të lartë pasi për ta trajtuar atë duhet një monitorim i rreptë i gjendjes së sheqerit në gjak. Për të realizuar monitorimin, përtej aparaturës që kushton duhen ato strishat e kontrollit”, thotë Klementi. “Strishat janë të ndjeshme ndaj dritës dhe menjëherë sapo futen në aparaturë japin më pas gjendjen sesa është glicemia. Ato janë njëpërdorimshme, njëjtë sikurse edhe aga që përdoret për injektimin e insulinës. Një age minimalisht mund të kushtojë 20 lekë copa shto këtu edhe strishat pastaj kostoja del e lartë për çdo ditë, lëre pastaj për ushqimin e zgjedhur e të tjera me radhë. Normalisht një i sëmurë duhet që të bëjë minimalisht 4-5 matje të glicemisë në ditë, ndërkohë që ato bëhen tre herë, jo se nuk duam, por kushtojnë. Këtej shumica e të sëmurëve me diabet vuajnë edhe nga sëmundje të tjera dhe kjo e bën diabetin shumë të kushtueshëm për t’u përballuar”.

Print Friendly, PDF & Email