1500 fëmijë me diabet, Shoqata: Na rimbursoni materialet mjekësore

Në listën e barnave të rimbursueshme janë dy lloje insulinash: Humane dhe analoge (ose me veprim të shkurtër dhe me veprim të zgjatur), si dhe antidiabetikët oralë

Janë 1500 fëmijë dhe të rinj deri në moshën 35 vjeç, të sëmurë me diabet, të cilët kërkojnë futjen në listën e rimbursimit të materialeve mjekësore, strisha për matjen e sheqerit në gjak, të ageve dhe të lancetave. Në një intervistë për MAPO, kreu i Shoqatës së të Rinjve dhe Fëmijëve me Diabet, z. Asim Toro, shpjegon se ndonëse kanë tri vite që kërkojnë të rimbursohen këto materiale mjekësore, fatkeqësisht edhe këtë vit ende presin për një listë të dytë për materialet mjekësore që duhet të dalin gjatë këtij gjashtëmujori të dytë të vitit 2016. “Dimë që sëmundja e diabetit është një sëmundje kronike, ku problemet më të mëdha i kanë në pasojat që jep nëse nuk monitorohet dhe trajtohet siç duhet, që më pas sjell këto komplikacione në: sy, zemër, tru, veshkë, nerva, si dhe shkakton ulcerë diabetike. Ndaj dhe ne ngremë pyetjet që i drejtohen gjithkujt për të na dhënë një mendim ose përgjigje se çfarë do të ndodhë me barrën ekonomike për pacientin dhe për shtetin, pa marrë parasysh barrën shoqërore dhe familjare në qoftë se nisin këto komplikacione, pasi ne e dimë që diabeti kërkon një monitorim shumë të rreptë për të ndaluar pasojat! Por a janë të mjaftueshme vetëm insulinat për mbarëvajtjen e diabetit?!” -deklaron kreu i Shoqatës, z. Toro. Për të ndërgjegjësuar popullatën por edhe për të drejtuar një thirrje për më shumë kujdes ndaj këtyre të sëmurëve, ditën e shtunë kjo shoqatë dhe një sërë mjekësh e të sëmurësh do të bëjnë një ecje përgjatë Parkut të Liqenit Artificial me moton “Diabeti nuk është pengesë për ne”. Në vendin tonë raportohen afërsisht rreth 63 mijë diabetikë të njohur ose 2.9% e popullsisë së rritur, ndërkohë, që numri i tyre duhet të jetë 2-3 herë më i lartë pasi rreth 50% janë të padiagnostikuar, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë. Sipas FSDKSH-së vetëm gjatë një viti parashikohen 1.3 miliard lekë për rimbursimin me barna të pacientëve me diabet. Aktualisht, në listën e barnave të rimbursueshme janë dy lloje insulinash: Humane dhe analoge (ose me veprim të shkurtër dhe me veprim të zgjatur) si dhe antidiabetikët oralë.

 “Diabeti nuk është pengesë për ne”- Një aktivitet ndryshe, ndërgjegjësues, promovues, por edhe thirrje për të drejtat dhe nevojat e të rinjve me diabet. Çfarë synoni të arrini përmes kësaj ecjeje?

Nëpërmjet këtij aktiviteti ne synojmë ndërgjegjësim! Synojmë të ndërgjegjësojmë të gjithë faktorët vendimmarrës në lidhje me sëmundjen e diabetit që të marrin masa dhe të ndihmojnë të prekurit nga kjo sëmundje. Gjithashtu, synojmë ndërgjegjësimin e gjithë popullatës për rrezikshmërinë e saj, kujdesin që duhet të tregojnë dhe solidaritetin e tyre.

Cilat janë pengesat që hasin të sëmurët diabetikë në trajtimin e sëmundjes?

Pengesa më e madhe që kemi janë materialet mjekësore, të cilat nuk na rimbursohen dhe ne jemi të detyruar t’i blejmë sepse janë jetësore për shëndetin tonë. Sigurimi i më shumë penave insulinike në vendin ku ne jetojmë, pa ardhur në QSUT për të na i miratuar mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Dispononi të dhëna se sa është numri i fëmijëve dhe të rinjve të sëmurë me diabet? A ka shoqata juaj një përllogaritje se sa është kostoja mujore e trajtimit të diabetit?

Numri i fëmijëve dhe të rinjve me diabet deri në moshën 35 vjeç është alarmante, shënohen deri 1500 persona. Qytetet e mëdha kanë më shumë persona me diabet dhe probleme nga më të ndryshmet si rastet e Fierit që nuk kanë të sosur. Prezantimi i kostove ekonomike për një person me diabet të parashikuar nga Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetik përfshin metodologjinë që ne kemi ndjekur bazuar në kriteret dhe këshillat e mjekut endokrinolog. Në të kemi përfshirë kostot e konsumimit ditor që janë materialet: lancet dhe fisha glicemie, age insulinash, glukagon, alkool pambuk dhe shtesa insuline që ne nuk na rimbursohen dhe në vlerë monetare arrijnë 13,127 lekë/muaj, të cilat ne duhet t’i sigurojmë në një formë të mundshme. Janë 32 analiza të ndryshme sipas kritereve dhe këshillat me mjekun endokrinolog me një vlerë prej 231,096 lekë/vit. Kostoja për material të përditshëm arrin në 157.524 lekë/vit. Në total vjetor, të dyja grupimet e konsumimit të përditshëm dhe grupin e analizave arrin në 388.620 lekë/vit. Ndihma sociale që përfitojmë nga shteti gjatë vitit arrin 117.000 lekë/vit. Me një diferencë të paplotësuar prej 271.620 lekë/vit. Dimë që sëmundja e diabetit është një sëmundje kronike, ku problemet më të mëdha i kanë në pasojat që jep nëse nuk monitorohet dhe trajtohet siç duhet, që më pas sjell këto komplikacione në: sy, zemër, tru, veshkë, nerva, si dhe shkakton ulcerë diabetike. Ndaj dhe ne ngremë pyetjet që iu drejtohen gjithkujt për të na dhënë një mendim ose përgjigje se çfarë do të ndodhë me barrën ekonomike për pacientin dhe për shtetin, pa marrë parasysh barrën shoqërore dhe familjare në qoftë se nisin këto komplikacione, pasi ne e dimë që diabeti kërkon një monitorim shumë të rreptë për të ndaluar pasojat! Por a janë të mjaftueshme vetëm insulinat për mbarëvajtjen e diabetit?!

Konkretisht, për cilat ilaçe dhe pajisje kërkoni rimbursim nga Ministria e Shëndetësisë? Në listën aktuale të ilaçeve të rimbursueshme, pati reflektim të kërkesave tuaja?

Në kërkojmë rimbursim të strishave për matjen e sheqerit në gjak, të ageve dhe të lancetave. Sigurim të hormonit glukagon që quhet ndryshe zjarrfikësi diabetik dhe përdoret në rastin e komave diabetike. Këto materiale mjekësore kemi 3 vjet që kërkojmë të na rimbursohen por fatkeqësisht edhe këtë vit po presim me shpresën për një liste të dytë për materialet mjekësore që duhet të dali gjatë këtij gjashtëmujori të dytë të vitit 2016.

Print Friendly, PDF & Email